Në Vrapçisht të Maqedonisë së Veriut tenderat i fiton ish e dashura e drejtorit të Kabinetit të Komunës.
Gazetarët e “Fiks Fare” kanë shkuar në Maqedoninë e Veriut për ta parë nga afër këtë problem, i cili ka mbërritur në redaksinë e emisionit investigativ në Tiranë. Sipas dokumenteve që gazetarët kanë arritur të sigurojnë rezulton se në muajin shtator dhe muajin nëntor të vitit 2019 janë lidhur dy kontrata midis komunës Vrapçisht dhe firmës “Alians Invest”. Njëra nga kontratat rezulton të jetë për rikonstruksionin e pallatit të kulturës, ndërsa tjetra rikonstruksion i objektit komunal.
Të dyja këto kontrata kanë vlerën e rreth 45 milionë dinar dhe në euro kapin vlerën e 600 mijë eurove. Gazetarëve të Fiksit në dokumente u rezulton që të dy këto tendera janë fituar nga firma që ka për administratore Belma Memedin dhe pronare Radife Nezirin. Por ajo që të bie në sy përveç të tjerash është themelimi që në krye të herës i kompanisë “Alians Invest”.
Domaini (emërtimi i domainit tregon adresën tënde në internet) është në emër të Armin Sulejmanit , drejtor i Kabinetit të Komunës Vrapçisht, nga ku kjo firmë ka fituar edhe tenderat në vlerën e 600 mijë euro.Nga informacionet e mbërritura në emisionin Fiks Fare pronarja e firmës Radife Neziri është bashkëjetuese e drejtorit të kabinetit të komunës Armin Sulejmani.
Gazetarët shkojnë në komunë dhe takojnë drejtorin.Ai mohon ta ketë bashkëshorte znj.Radife Neziri, por thotë se e ka patur ish të dashur.Ndërkohë që për hapjen e domainit të firmës në emër të tij, drejtori Armin Sulejmani thotë që në profesion është IT, pra krijon website sipas kërkesave dhe në këto website është domaini i tij dhe nuk mban përgjegjësi se cila firmë i mban ato më pas.Për këtë gjë thotë ai e ka çuar çështjen edhe në prokurori, pasi është abuzuar me emrin e tij.
Top Channel