Shefja e Infektivit: Disa mjekë të QSUT-së nuk besojnë se koronavirusi ekziston, mos i besoni këto dy mite

06/07/2020 21:50

Skepticizmi “pushtoi” qytetarët në lidhje me COVID-19.

Nuk ishin të paktë personat që menduan që kjo sëmundje është një “mashtrim”. Një gjë të tillë e konfirmoi dhe shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT, Najada Çomo. E ftuar në “Open” mjekja tha se shumë kolegë të saj mjekë brenda ambienteve të QSUT-së, kanë menduar që virusi është një mashtrim.

Por shtoi se situatën dhe vërtetësinë e koronavirusit e shikon dhe e ndjen vetëm nëse je brenda Spitalit Infektiv. Ndër të tjera, mjekja tha se kur ka mjekë që mendojnë që virusi nuk ekziston, ky mendim në radhët e qytetarëve është deri diku i justifikuar.

“Lidhur me strategjinë unë duke qenë pjesë e kësaj strategjie nuk jam aspak kundra. Ne ishim 20 raste kur kemi bërë hapjen. 20 nuk është reale, sepse ka më shumë raste se aq. Ishte e pritshme shtimi i rasteve, harresa që njerëzit mendojnë se iku virusi. Unë jam këtu për të thënë që virusi është një realitet dhe është mes nesh. Ai është në ajër dhe prek atë që dëshiron të preki. Ka pasur shumë njerëz skeptikë që Covid-i nuk është i vërtetë. Unë e kam parë këtë edhe brenda QSUT-së. Një pjesë se kanë besuar, nëse se beson personeli mjekësor, ti mos e pretendo te popullata”, u shpreh Çomo.

Ndërkohë, shefja e Shërbimit Infektiv në QSUT rrëzoi poshtë hipotezën se agresiviteti i virusit bie me rritjen e temperaturave. Përkundrazi, sipas mjekes rritja e temperaturave e përkeqëson gjendjen shëndetësore të pacientit.

“Për fat të keq jo, unë se kam artikuluar këtë fjalë. Transmetimi i takon epidemiologëve. Ne jemi para një realiteti kur temperaturat janë shumë të larta jashtë, kemi numër të shtruar të infektimeve. Janë shtuar edhe personat në gjendje të rendë. Unë për këtë kam dalë. Janë temperaturat e larta dhe e rëndojnë situatën shëndetësore. Në temperaturë e lartë je më i lodhur dhe e bën më të vështirë situatën shëndetësore”, tha mjekja.

Në fund, apeli i saj ishte:

“I nderuar popull ruaje veten nga ky lloj virusi i cili nuk zgjedh kë do të preki. Ne jemi aty për të shërbyer, por kur të shikojmë që njerëzit janë neglizhues, mosbesues ne do të dëshpërohemi, pavarësisht se punën do e bëjmë. Unë se kam ndërmend të dorëzohem. Në fund të fundit detyra e një mjeku është të ndihmojë dhe t’u shërbejë të sëmurëve. Mospërfillja e tyre ne na trishton dhe na jep ndjesinë se kjo situatë nuk ka për të përfunduar kurrë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA