Rriten tensionet me shfaqje force të SHBA-së në Detin e Kinës Jugore

06/07/2020 21:27

Për herë të parë në gjashtë vjet marina e SHBA ka vendosur dy aeroplanmbajtëse në Detin e Kinës Jugore, në shfaqjen më të fundit të forcës ushtarake nga Uashingtoni, i cili kërkon të sprapsë pretendimet e Kinës për zonat e kontestuara në rajon.

Dy aeroplanmbajtëset erdhën në zonë teksa Kina po kryente edhe ajo manovrat e saj detare pranë ishujve të kontestuar, të sinkronizuara këto me raportimet e mediave të Pekinit për “gatishmëri të ushtrisë në zmbrapsjen e çdo pretendimi amerikan që i sfidon”.

“Grupi i aeroplanmbajtëses USS Nimitz dhe i asaj USS Ronald Reagan kryen sot operacione në Detin e Kinës Jugore për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse ajrore, dhe sulme detare precizioni të avionëve të luftanijeve,” thuhej në deklaratën e marinës së SHBA.

Komandanti Sean Brophy, zëdhënësi në bordin e Reagan-it tha se kjo është hera e parë që dy mjetet gjigante operojnë së bashku në Detin e Kinës Jugore që prej vitit 2014 dhe hera e dytë që prej vitit 2001.

Në të njëjtën kohë marina e Kinës përfundoi sot pesë ditë manovra pranë ishujve Paracel, ose Xisha siç quhen nga Kina, të cilët pretendohen gjithashtu nga Vietnami e Tajvani.

SHBA përdori në manovra gjuajtësit F/A-18E ndërsa Kina nuk dha detaje për manovrat e kryera, por vetëm i quajti ato “intensive”, në një raport në media.

FOTO GALERI
1/5
Grupi i aeroplanmbajtëses USS Nimitz dhe i asaj USS Ronald Reagan kryen sot operacione në Detin e Kinës Jugore

Top Channel