Në 24 orët e fundit 8 persona kanë rezultuar pozitiv me covid 19 në Elbasan duke e çuar në 24 numrin e personave aktivë gjithsej deri tani në këtë qark.
Vatra e fundit e infeksionit është spitali i Elbasanit ku një infermiere e gjinekologjisë rezultoi e prekur një ditë më parë, por edhe tjetër personel shëndetësor ka shfaqur shenja si temperaturë dhe vështirësi në frymëmarrje ç’ka ka bërë që edhe këta persona të dyshohen dhe izolohen.
Po ashtu një punonjëse call center ka rezultuar pozitive ndërsa një vatër tjetër infeksioni është ajo në një filial banke, ku dy ditë më parë drejtori rezultoi pozitiv me covid 19.
Ajo që vihet re ditët e fundit është një mungesë koordinimi në dhënien e informacioneve mes institucioneve. Nëse Ministria e Shëndetësisë sot konfirmon 8 të prekur në qytetin e Elbasanit, Instituti i Shëndetit Publik Rajonal konfirmon vetëm 3 persona të prekur, edhe këto të dhëna për datën 3 korrik, pra testime të kryera në datën 3 korrik. Ndërsa në vijimësi Instituti i Shëndetit Publik në Elbasan nuk ka informacion shtesë.
Kjo mungesë informacioni ka sjellë dhe një mungesë koordinimi mes institucioneve, çka do të thotë se bashkitë e kanë të pamundur ose janë shumë të vonuara në kryerjen e dezinfektimeve përderisa sot kanë informacion vetëm për 3 të prekur.
E po ashtu, Instituti i Shëndetit Publik e ka të pamundur të marrë masa përderisa nuk ka informacione të sakta nga Ministria e Shëndetësisë se cilat janë burimet e prekjeve të fundit.
Përballë kësaj situate, në mungesë të një informacioni të saktë, edhe vetë personeli shëndetësor shprehet i frikësuar. Madje ata i thanë Top Channel jashtë kamerave se mungesa e informacionit vjen si pasojë e mungesës së bazës material, pasi tashmë nuk po sigurohet baza materiale në maska e doreza as për mjekët.
Top Channel