“Kjo është sëmundja më e tmerrshme që unë kam hasur në punën time “, u shpreh shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo gjatë një interviste ekskluzive për emisionin “Open” në Top Channel.

Mbi faktin se për 3 muaj, vendosi të qëndronte e heshtur dhe të mos dilte në studiot televizive, Çomo e argumentoi kështu:

“Duhej të zgjidhja ose të isha në krye të detyrës ose të dilja në televizione. Është bërë një punë e mirë falë personelit shëndetësor. Unë nuk u preka me Covid; qëndrimi në punë ka qenë detyrë dhe jo sakrificë.”

Më tej shtoi:

“Muajt e parë kanë qenë punë intensive për ne. Kam qenë pro hapjes së menaxhuar dhe të kontrolluar. Kjo është sëmundja më e tmerrshme që unë kam hasur në punën time. Kjo sëmundje ka shumë të papritura. Mendon se ke vendosur në rregull çdo gjë dhe për një orë ndryshon gjithçka. Gjendja e të infektuarve ndryshon krejt papritur. Shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë ata që kanë humbur jetën nga Covid-19. Unë kam qenë personi që kam lajmëruar familjarët për humbjen e të afërmve të tyre. Shumë herë kemi derdhur lot për humbjen e jetëve nga Covid-19. Kisha frikë për veten, por më shumë për familjarët. Ky infeksion është i frikshëm sepse është një sëmundje e re dhe ka të papritura. Situatën brenda e dimë vetëm ne që jemi aty; askush jashtë nuk e di çfarë bëhet. Zgjodha të dal në “OPEN” për të thënë që Covid-i është një realitet në Shqipëri. “Hapja” nuk do të thotë liri totale, sepse është konceptua rgabim. Njerëzit duhet të kuptojnë se hapja nuk është bërë sepse Covid ka ikur. Virusi është mes nesh, është në ajër, qarkullon dhe zgjedh kë do të infektojë. Lajmi se me ngrohjen e temperaturave virusi do ikë është “fake news”. Temperaturat jashtë janë të larta, por kemi numër të rritur të rasteve. Janë prekur më shumë ata që kanë patur sëmundje të tjera kronike. Është një infeksion, i cili të krijon komplikacione të papritura.”

Top Channel