(FOTO) Akullnajë rozë! Ç’fenomen ndodhi në Presena të Italisë

05/07/2020 16:15

Nuk kishte ndodhur asnjëherë në Itali por tani, borë me ngjyrë rozë është parë në akullnajën Presena në veri të vendit.

Fenomeni është shkaktuar nga një algë që shumohet kur bora shkrin, duke i dhënë në të njëjtën kohë akullit ngjyrën rozë. Në një rreth vicioz, alga në anën tjetër, rrit shpejtësinë me të cilën bora shkrin duke përshpejtuar absorbimin e rrezatimit. Biagio di Mauro, kërkues nga Këshilli Kombëtar i Kërkimeve, po heton fenomenin.

Alga nuk është e rrezikshme, është një fenomen natyror që ndodh gjatë periudhave të pranverës dhe verës, në lartësi mesatare por edhe në pole. Gjithçka që errëson borën bën që ajo edhe të shkrihet më shpejt, sepse përshpejton absorbimin e rrezatimit.

Ekspertët po tentojnë të vlerësojnë efektin e fenomeneve të tjera, përveç aktivitetit njerëzor, në mbinxehjen e tokës. Bëhet fjalë për fenomene natyrore, si rasti i algës, por mund të lidhet edhe me praninë e njerëzve në këto lartësi me teleferikë e pista skijimi, por edhe me alpinizëm.

Mbinxehja e planetit është një problem real, ndërkohë që alga nuk bën gjë tjetër veçse e përkeqëson situatën. Ekspertët thonë se fatkeqësisht, ajo që njeriu po bën mbi natyrën shkakton dëme të pakthyeshme. Ne, thonë ata jemi në një pikë pa kthim. Toka, shtojnë ata, po na kthen reston e asaj që ne kemi bërë. Dhe viti 2020, e tregoi këtë. Një vit në të cilin gjëra të tmerrshme kanë ndodhur, që nga pandemitë, përmbytjet, tërmetet, zjarret e gjithçka tjetër.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel