Kjo është dera e banesës së familjes Josifi, brenda së cilës polici, mbrëmjen e së enjtes gjeti të vdekur Zhaneta Josifin 56 vjeçe dhe vajzën e saj 30 vjeçe.

Ndërsa vajza tjetër u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në spital. Prej disa ditësh, të afërm të kësaj familjeje tentonin të hynin brenda, por Zhaneta nuk e hapte. Ka qenë pikërisht kunati, i cili mbrëmjen e së enjtes ka njoftuar policinë, dhe më pas zjarrfikëset kanë hyrë nga pjesa e pasme e pallatit, nëpërmjet dritares së tualetit, ku brenda gjetën të pajetë Zhanetën dhe Anisën.

Sipas burimeve pranë mjekësisë ligjore, bëhet me dije se trupi i Anisës, është gjendur gjysmë i dekompozuar pasi ka ndenjur mbi gjashtë muaj pa jetë. Vajza dyshohet se ka humbur jetën, sepse ka refuzuar ushqimin për një kohë të gjatë. Po ashtu mësohet se Zhaneta dhe vajza tjetër e saj Blerta, e lyenin me vaj, uthull dhe solucione të tjera me qëllim për të shmangur aromën e trupit, por duke bërë kështu një lloj mumifikimi. Qëllimi thuhet se ishte ringjallja, ndërkohë nëna e saj 56-vjeçare së bashku me të bijën e dytë, për ditë të tëra kanë refuzuar ushqimin dhe ujin. Kjo shkaktoi vdekjen e gruas, ndërsa 34-vjeçarja u gjet gjallë dhe ndodhet në spital për t’u kuruar.

Shumë vite më parë, kryefamiljari kishte kryer vetëvrasje, ndërsa jetonin në Përmet. Më pas guraja me dy vajzat u zhvendosën në Tiranë. Këtë të premte pranë banesës, ku ndodhi tragjedia ishte edhe një nga të afërmet e bashkëshortit të Zhanetës. Ajo tregoi për Top Channel zakonet e çuditshme të kësaj familje për shkak të rregullave të sektit fetar në të cilin bënin pjesë.

“Vinte e motra po Anisën nuk e shihnin. Për çështje feje më duket. Por nuk e di nëse ishin me Jehovain apo me protestantët”, rrëfen e afërmja.

Një komshie e familjes Josifi, tregon se ato prej kohësh nuk dilnin dhe rrallë e hapnin derën e shtëpisë.

Policia në banesë e tyre gjeti edhe disa letra me përmbajtje fetare, çka ka hedhur dyshimet se ato ishin praktikuese të Jehovait. Por kjo organizatë, të premten doli me një deklarata publike, duke e mohuar këtë fakt.

“Pjesëtarët e familjes Josifi, jo vetëm që nuk kanë qenë pjesëtarë të organizatës sonë, por as nuk janë shoqëruar ndonjëherë me dëshmitarët e Jehovait. Përpjekjet për ta lidhur këtë ngjarje apo çdo element tjetër me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait është krejtësisht e pabazë dhe madje fyese për besimin tonë”, shkruhet në deklaratë.

Hetimet pritet të hedhin dritë mbi këtë ngjarje dhe çelsi i së vërtetës është vajza e mbijetuar. Ajo po e kalon momentin e vështirë dhe do merret në pyetje për të mësuar edhe se cili ishte sekti fetar që ndiqte familja dhe sa ka ndikuar ai te vendimet ekstreme.

 

Top Channel