Shpërthimi gjigand në fabrikën e fishekzjarreve lë 2 të vdekur 73 të plagosur

03/07/2020 19:08

Një shpërthim masiv në një fabrikë fishekzjarresh në Turqi ka lënë të paktën dy të vdekur e 73 të plagosur, njoftonin sot mediat vendase.

Pamjet televizive tregonin shtëllunga tymi në formë kërpudhe teksa fishekzjarre në formë raketash dilnin prej tyre.

Llogaritet se 150-200 punonjës ishin në fabrikën në qytetin veriperëndimor të Hendek, tha kryebashkiaku Cetin Oktay Kaldirim për agjencinë vendase Anadolu.

Ministri i shëndetësisë Fahrettin Koca tha se dy njerëz kishin vdekur në shpërthim ndërsa 73 ishin dërguar në spital me plagë.
Gjysmëhëna e kuqe turke nxiti banorët që jetojnë në afërsi të fabrikës të qendrojnë në shtëpi e të mbyllin dritaret, prej lëshimit të mundshëm të gazrave kimike.

E përditshmja turke Daily Sabah raportonte se po në këtë fabrikë kishin ndodhur shpërthime me vdekje edhe në vitet 2009, 2011 e 2014.

Kryebashkiaku Cetin Oktay Kaldırım tha se në magazinat e fabrikës kishte pasur më shumë se 100 ton fishekzjarre prandaj shpërthimet do të vazhdojnë.

“Prandaj nuk mund të ndërhyjmë për momentin”, tha ai.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel