Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha të enjten se pandemia e koronavirusit po prek thellë paqen dhe sigurinë në të gjithë botën.
“Siguria kolektive dhe mirëqenia jonë e përbashkët po goditen nga shumë fronte, kryesisht nga një sëmundje e pamëshirshme, nxitur gjithashtu nga një brishtësi globale”, tha zoti Guterres. “Sfida jonë sot është të shpëtojmë jetë ndërsa forcojmë shtyllat e sigurisë për nesër”, shtoi ai.
Shefi i kësaj organizate botërore i bëri komentet gjatë një takimi virtual të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që diskutoi rreth efekteve të pandemisë tek paqja e siguria botërore. Prej fillimit të pandemisë janë regjistruar më shumë se 10.5 milionë njerëz të infektuar në të gjithë botën.
“Pasojat mund të shihen edhe në një numër vendesh që tradicionalisht janë parë si “të qëndrueshme”, tha ai. “Por ndikimi është veçanërisht i dukshëm në vendet që po përjetojnë konflikte ose që po dalin nga një i tillë dhe së shpejti mund të gllabërojë edhe të tjerë”. Zoti Guterres tha se po rriten tensionet si rezultat i ndikimit të rëndë social-ekonomik të krizës shëndetësore dhe erozionit që ka pësuar besimi publik në vendet ku njerëzit mendojnë se përgjigja ka qenë joefektive ose ku mungon transparenca.
Në mesin e rreth 100 konflikteve të armatosura në të gjithë botën, proceset e paqes ndodhen në rrezik, veçanërisht nëse bashkësia ndërkombëtare nuk është e angazhuar plotësisht. “Në vende të tjera, aktorët e konfliktit, përfshirë grupet terroriste dhe ato të dhunshme ekstremiste, po e shohin pasigurinë e krijuar nga pandemia si një avantazh taktik”, tha zoti Guterres. Ai vuri në dukje se në shumë vende, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe ata që ofrojnë shërbime humanitare duke ndihmuar të sëmurët dhe ata që janë prekur nga virusi, kanë qenë në shënjestër të sulmeve.
Zoti Guterres paralajmëroi për shenja në rritje të autoritarizmit, duke përfshirë kufizimin e medias, hapësirës qytetare e lirisë së shprehjes si dhe një rritje të gjuhës së urrejtjes apo asaj që ai e quajti “epidemi” dezinformatash në internet. “Populistët, nacionalistët e të tjerë që po kërkojnë aktualisht të shënohen hapa pas në fushën e të drejtave të njeriut, po gjejnë tek pandemia një pretekst për masa shtypëse të cilat nuk kanë lidhje me sëmundjen”, tha ai.
Zoti Guterres tha se këto rreziqe të një shkalle të gjerë kërkojnë një përgjigje urgjente dhe të bashkuar, përfshirë edhe Këshillin e Sigurimit. Ai përshëndeti miratimin që ky këshill i dha të mërkurën thirrjes së tij për një armëpushim global si mbështetje ndaj masave kundër pandemisë së koronavirusit./VOA
Top Channel