Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka përshëndetur suksesin e shndritshëm të vendit të tij në përballjen me Covid-19.
Duke folur në një mbledhje të byrosë politike, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, ai tha se vendi kishte parandaluar përhapjen e virusit dhe e kishte mbajtur situatën stabël.
Koreja e Veriut mbylli kufijtë e saj dhe vendosi mijëra vetë në izolim gjashtë muaj më parë ndërsa virusi u përhap në të gjithë globin. Ajo pretendoi se nuk kishte raste të virusit edhe pse analistët thanë se kjo nuk kishte gjasa të ndodhte. Kim ndërkohë thuhet se ka analizuar në detaj emergjencën kombëtare gjashtë mujore dhe punën antiepidemike në mbledhjen e fundit të byrosë politike dhe tha se suksesi në menaxhimin e situatës ishte arritur si pasojë e vizionit largpamës të lidershipit të komitetit qendror të partisë. Por ai sipas KCNA nënvizoi edhe rëndësinë e vigjilencës maksimale, pa e larguar vëmendjen nga fronti anti epidemik duke shtuar se virusi është ende i pranishëm në vendet fqinje. Në fakt askush nuk e di nëse koronavirusi është përhapur apo jo në Korenë e Veriut. Vendi ka qenë i mbyllur që nga 30 janari dhe shumë pak njerëz kanë dalë apo hyrë në të.
Vullnetarët e kryqit të kuq ndërkombëtar, në zonën e kufirit, thonë se ka patur raporte të pakonfirmuara për raste në vend. OBSH, në një raport të sajin, thotë se në vend janë testuar vetëm 922 persona për virusin dhe të gjithë kanë rezultuar negativë. Koreja e veriut ka një kufi të gjatë me kinën dhe ka thënë gjithnjë se nuk ka regjistruar as edhe një rast të vetëm të virusit.
Top Channel