Kryeministri indian Narendra Modi viziton bazën ushtarake në kufi me Kinën

03/07/2020 21:21

Kryeministri i Indisë Narendra Modi bëri sot një vizitë surprizë në një bazë të largët ushtarake pranë kufirit kinez, ku trupat e të dy vendeve po konfrontohet prej disa javësh.

Modi, i shoqëruar nga udhëheqja ushtarake e vendit, u takua me trupat në rajonin e Ladakh teksa në fotot e postuara prej tij, komentonte: “Me personelin e guximshëm të forcave tona të armatosura”.

Vizita e Modi vjen në një kohë akumulimi madhor ushtarak në rajon pas luftimeve vrasëse trup me trup më 15 qershor, ku u humbën jeten të paktën 20 ushtarë indianë dhe një numër i padeklaruar i trupave kufitare kineze.

Ky ishte incidenti më i rëndë në katër dekada mes dy superfuqive aziatike.

Në fjalën e tij për trupat Modi brohoriste “Rroftë Nëna Indi!” ndërsa i tha trupave të bazës së Nimu se “pas çdo krize, India ka dalë akoma më e fortë.”

Më tej ai vlerësonte trimërinë e luftëtarëve indianë: “Armiqtë e Indisë kanë parë zjarrin dhe trimërinë tuaj. Ditët e ekspansionizmit kanë marrë fund. Ekspansionizmi rrezikon paqen botërore. Ne jemi sot në epokën e zhvillimit”, tha ai duke iu referuar sipas tij sjelljes kufitare të Kinës.

Ji Rong, zëdhënësi i ambasadës së Kinës në New Delhi, tha se ishte e pabazë që Kina të quhet “ekspansioniste.”

Ai shtoi se Kina ka bërë demarkacionin e plotë të kufirit me 12 nga 14 fqinjët e saj, me anë të negocjatave paqësore.

FOTO GALERI
1/4
Narendra Modi bëri sot një vizitë surprizë në një bazë të largët ushtarake pranë kufirit kinez

Top Channel