“Institucioni Shtetëror i Kulteve është kthyer në kult”/ Ekspertët pas ngjarjes në Kombinat: Të hetohet çdo gjë që lëviz

03/07/2020 20:38

Anisa Josifi, u pa për herë të fundit jashtë shtëpisë, ditën kur humbi vendin e punës. Pas saj, pasi e larguan nga detyra si ekonomiste, edhe Blerta u mbyll në shtëpi.

E ëma Zhaneta Josifi e humbi punën si pastruese gjatë covidid, edhe ajo u mbyll brenda katër mureve deri ditën që u gjet e pajetë së bashku me njërën nga vajzat, e cila ishte mumifikuar.

Të treja gratë ishin frekuentuese të një sekti dhe besonin tek ringjallja. Por prokuroria nuk ka zbuluar saktësisht se cilit besim i përkisnin së fundmi nëna dhe dy vajzat.

Kjo ngjarje, fillimisht ngujimi e izolimi nga shoqëria, e më pas vetëflijimi përmes refuzimit të ushqimit, ngre sërish pikëpyetje mbi kontrollin e disa sekteve e shoqatave me përmbajtje fetare në vendin tonë. Nëse kontrollohen apo jo, ish-koordinatori kombëtar kundër ekstremizmit të dhunshëm Agron Sojati, thotë për Top Channel se ato thjesht regjistrohen në gjykata dhe lehtësisht u shpëtojnë kontrolleve.

Agron Sojati: Ne mos të krijojmë xhepa apo individë që shkëputen nga komuniteti, se gjithë sekreti këtu është. Sekte mund të regjistrohen sa të duash, por komunitete pesë njohim

Anila Hoxha: Po pra po sektet kush i kontrollon.

Agron Sojati: Të gjitha regjistrohen në Gjykatën e Tiranës.

Anila Hoxha: Më pas?

Agron Sojati: Më pas OJQ (Organizata jo fitimprurëse), siç kanë aktivitetin OJQ ato vetëm po dolën në radar, dikush merret me to.

Ish-kryetari i Komunitetit Kombëtar të Kulteve, Ilir Hoxholli, këmbëngul se kjo ngjarje është pika e kthesës për më shumë vëmendje shtetërore.

“Nëpërmjet këtij rasti të bëhet një hetim i thelluar për të parë nëse kemi të bëjmë me indicie nga këto sekte fetare, për të detyruar njerëzit të shkojnë mbase në një veprim, sepse mund të mos jetë një shtysë direkte por mund të jetë dhe indirekte. Do të përfitoja nga rasti që në rastin e tillë, pavarësisht kush mund të ishte grupi fetar të thellohet në një hetim të mire”, u shpreh Hoxholli.

Top Channel tentoi të sigurojë një reagim dhe nga Komuniteti Shtetëror i Kulteve, por ndeshi në indiferencë.

Telefonojmë kryetaren e Komunitetit Shtetëror të Kulteve, e cila nuk e hap telefonin, ndonëse ne i kemi shkruar, i jemi prezantuar dhe kërkojmë një reagim nga zonja Aliko për kontrollin e sekteve të ndryshme në vend. Komuniteti Shqiptar i Kulteve është institucioni përgjegjës, i cili duhet të japë një përgjigje nëse kontrollohen apo jo kultet dhe sektet fetare në vend. Përgjigje të cilën ne nuk arrijmë ta kemi, përderisa edhe vetë Institucioni Shtetëror i Kulteve është kthyer në një kult.

Top Channel