SHBA ngre akuzat kundër “madamës” së seksit të pedofilit Jeffrey Epstein

02/07/2020 20:55

Ghislaine Maxwell, ish e dashura e Jeffrey Epstein është akuzuar sot formalisht nga prokuroria amerikane për sigurimin e vajzave të reja për trafik seksual dhe dëshmi të rreme, pas arrestimit në vilën e saj luksoze ku ishte fshehur prej muajsh.

Oficeri special William Sweeney tha se Maxwell u arrestua mëngjesin e sotëm pasi FBI kishte ndjekur vendosjen e saj në pronën luksoze.

Agjencia Reuters raporton se Maxwell e ka blerë me para në dorë pronën luksoze 100 hektarëshe, ku u arrestua sot në mëngjes. Autoritetet nuk bënë të ditura të tjera detaje për arrestimin.

Akuzat kryesore ndaj saj lidhen me incidente në vitet 1994 deri në 1997 dhe lidhen me tre viktima të paemëruara, më e reja prej të cilave ishte asokohe 14 vjeç. Abuzimet kanë ndodhur në shtëpitë që financieri pedofil Epstein zotëronte në New York, Florida, New Mexico si dhe në shtëpinë e Maxwell në Londër.

Epstein akuzohet për abuzime me dhjetra vajza nën moshë dhe gjatë krimeve të tmerrshme Maxwell ka qenë gjithmonë në krah të tij duke bërë organizmin e abuzimeve.

Maxwell është bija aristokrate e manjatit britanik hebre të gazetarisë Robert Maxwell, gjithashtu i rrëzuar nga lavdia për mashtrime e shantazhe.

Prokurorja amerikane Audrey Strauss tha se hetimet për dekadat e abuzimeve të Epstein po vazhdojnë.

Top Channel