Rusët kanë mbështetur fort reformën kushtetuese që do ta mbajë presidentin Vladimir Putin në pushtet deri në 2036-ën.

Sipas rezultateve paraprake, me 98 përqind të votave të numëruara, më shumë se 78 përqind e zgjedhësve kanë mbështetur masat. Reformat do ta rikthenin limitin e mandateve të Putin në zero, në 2024 duke e lejuar atë të shërbejë edhe dy mandate të tjera 6-vjeçare. Opozita e ka denoncuar votimin duke thënë se ai kishte si qëllim të bëhej president i përjetshëm, një pretendim që Putin e mohon. Nuk ka patur një monitorim të pavarur të votimit që zgjati për shtatë ditë, dhe kopjet e kushtetutës së re dolën në shitje nëpër librari gjatë kësaj jave.

Kritiku kryesor i Kremlinit, Aleksei Navalni e cilësoi rezultatin një gënjeshtër të madhe që nuk reflekton opinionin real të publikut në vend. Rezultatet paraprake u publikuan pak orë para se qendrat e fundit të votimit të mbylleshin në Kaliningrad, në vendin e madh që shtrihet në 11 zona kohore. Votimi filloi në Rusi javën e shkuar dhe komisioni elektoral tha se pjesëmarrja ishte më e lartë se 64 përqind. Para se votimi të përfundonte, Ministria e Brendshme tha se nuk kishte patur shkelje që do të mund të cënonin rezultatin.

Por, monitoruesit e pavarur të Golos, thanë se kishin marrë rreth 2100 raporte për shkelje të mundshme. Disa qindra kundërshtarë të ndryshimeve kushtetuese ndërkohë zhvilluan protesta në Moskë dhe Shën Pjetërburg. Presidenti rus dhe mbështetësit e tij thonë se reformat, në total më shumë se 200 ndryshime, janë të nevojshme për të siguruar stabilitetin kombëtar. Putin nuk ka thënë se do të kandidojë sërish për presidencën, kur mandati i tij të përfundojë në 2024-n, por ka thënë se është thelbësore që ai e ka mundësinë ta bëjë këtë. Ai ka qenë në pushtet në Rusi si president apo kryeministër prej 20 vjetësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA