Shtetas nga njëmbëdhjetë vende që nuk janë pjesë e BE-Së mund të hyjnë në Gjermani nga e enjtja pa kufizime.
Por në listën e Gjermanisë, mungon Serbia, që është pjesë e listës së shpallur më herët nga BE, por edhe Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe SHBA. Sipas vendimit të qeverisë gjermane, mund të hyjnë lirisht në vend udhëtarë nga Australia, Gjeorgjia, Kanada, Mali i Zi, Zelanda e Re, Tajlanda, Tunizia dhe Uruguaji. Për Shtetet e Bashkuara, kufizimet e hyrjes fillimisht do të vazhdojnë të zbatohen. Për Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën lejimi do të vlejë vetën nëse këto vende do t’i lejojnë nga ana e tyre gjermanët të hyjnë në ato shtete. Heqja e ndalimit të hyrjes do të hyjë në fuqi të enjten, njoftoi Ministria e Brendshme e Gjermanisë.
Qeveria gjermane orientohet për këtë vendim në një vendim të vendeve anëtare të BE-së. Sipas tij, shtetas nga 14 shtete duhet të lejohen të hyjnë përsëri në BE. Ashtu si edhe ajo e BE, lista e Gjermanisë do të rishikohet çdo dy javë.Ekzistojnë gjithashtu mundësi të gjera hyrëse për njerëzit nga të gjitha vendet jashtë BE-së, të cilët kanë një arsye të rëndësishme për të udhëtuar. Këta mund të jenë gjermanë ose njerëz me të drejtë që të banojnë këtu, punëtorë sezonalë në bujqësi, detarë ose pasagjerë në kalim tranzit. Në të ardhmen, vendimtar për lejimin e hyrjes në Gjermani do të jetë numri i infeksioneve të reja me Covid-19 në 14 ditët e fundit.
Veç kësaj do të vërehet edhe tendenca në të njëjtën periudhë dhe mënyra se si e trajton pandeminë shteti përkatës. Për udhëtarët nga zonat me rrezik të lartë, është edhe më tej në fuqi detyrimi për karantinë 14 ditore, kur udhëtarët nuk kanë me vete një rezultat negativ të testit për virusin korona. Një ditë më parë, Austria paralajmëroi për udhëtimet në vendet e Ballkanit perëndimor për shkak të rritjes së numrit të rasteve të koronavirusit atje.
Top Channel