Si sot, 30 vjet më parë, nisi eksodi në ambasada.

Mijëra shqiptarë hynë nëpër ambasadat e huaja, në mënyra nga më të ndryshmet, duke shënuar nisjen e ndryshimeve të mëdha politiko-historike, në Shqipërinë komuniste.

Ylli Bodinaku ishte shqiptari i parë që hyri në Ambasadën Gjermane. Hipur në kamionin e tij “Saurrel”, ai goditi dhe shembi murin e ambasadës.

 

“Isha 37 vjeç, punoja shofer në park. Mora Saurrelin nga ora 7 e darkës. Hipa në të gruan dhe dy djemtë, njëri 12 vjeç dhe tjetri 3 muajsh. Mora një qengj dhe rroba. E lirova sediljen, që mos të goditesha fort gjatë përplasjes. Murin e pamë nja dy orë më parë me një shok dhe morëm masat”, rrëfen Yllbardh Bodinaku.

“Në kamion hipën edhe të tjerë. U bëmë 40 vetë gjithsej. Një polic tek ambasada qëlloi drejt nesh me armë. Unë e shmanga me makinë. U çava në krah dhe na mjekuan në ambasadë. Ndenjëm 10 ditë atje. U bëmë rreth 3200 vetë brenda në ambasadë. Ujin na e prenë autoritetet shqiptare. Buka blihej në Kavajë e Durrës. Ne na quanin “heronj” brenda në ambasadë. Pas 10 ditësh, me autobusë, u nisëm për Gjermani. Ne shkuam në Manheim. Punova 3 vjet në një ofiçinë të Bencit. U ktheva pas 3 vjetësh në Shqipëri. Jam bërë pishman. Djali i vogël do të ikë jashtë. Unë i them “Ik”. Edhe pas 30 vjetësh ne nuk jetojmë dot si njerëz. Ke akoma frikë për jetën. Ju të medias e dini shumë mirë, sepse raportoni ngjarje të rënda çdo ditë. U ktheva, se guri i rëndë në vend të vet, por edhe sot do bëja të njëjtën gjë si para 30 vitesh”, përfundon fjalën Bodinaku.

Top Channel