Kapen 14 tonë amfetaminë në Napoli! Droga u prodhua në Siri nga ISIS

01/07/2020 12:24

Në qytetin e Napolit në Itali, Guardia di Finanza ka sekuestruar 14 tonë amfetaminë, e paketuar në 84 milionë tableta me logon “Captagon”, të prodhuara në Siri nga ISIS.

Në qoftë se droga do të hidhej në treg, vlera e saj do të ishte mbi 1 miliardë euro dhe mendohet se shuma do të përdorej për të financuar terrorizmin.

Ky është sekuestrimi më i madh i amfetaminave në botë, i realizuar nga Prokuroria Publike e Napolit, si pjesë e një veprimtarie komplekse hetimi kundër një organizate ndërkombëtare që merrej me importin e sasive të mëdha të drogave.

Droga që kishte mbërritur në portin e Salernos, ishte fshehur në 3 konteinerë, brenda të cilave kishte edhe cilindra letre për përdorim industrial dhe makineri.

Cilindrat e letrës, rreth 2 metra të lartë dhe me një diametër prej 140 cm, për të cilat dyshohet se ishin bërë në Gjermani, kishin disa shtresa, brenda të cilave ishte fshehur droga, e cila u zbulua nga skaneri. Brenda çdo cilindri letre ishin të fshehura rreth 350 kg tableta amfetaminë.

Top Channel