Pas propozimit të rektorëve të Universiteteve, Ministria e Arsimit ka vendosur datën 30 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve në Universitete.
Data e zgjedhjeve në Universitete ishte caktuar edhe më herët por për shkak të pandemisë së koronavirusit u shtynë.
Ky është urdhëri i katërt i ministres së arsimit për datën e zgjedhjeve në universitete. Para pandemisë, ministrja Shahini përcaktoi 8 majin si datë për zhvillimin e procesit zgjedhor, por për shkak të situatës ato u shtynë për 12 qershorin, kohë kur ende nuk kishte mbaruar gjendja e jashtëzakonshme. Pas shumë kundërshtish, kryesisht nga studentët, pikërisht më 8 maj u mor vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve pa afat por vijimin e organizimit të procesit zgjedhor. Ndërsa ditën e sotme ministrja e arsimit ka vendosur për zhvillimin e zgjedhjeve në 30 korrik.
Nga ana tjetër kjo e martë , ka shënuar edhe fillimin e fushatës zgjedhore në universitet pasi sipas rregullores ajo nis 1 muaj para datës së zgjedhjeve.
Postimi i plotë:
“Sot zhvillova përsëri një takim me rektorët e IAL-ve publike, të cilët shprehen pamundësinë e vazhdimit të udhëheqjes së IAL-ve me mandat të përfunduar dhe sollën në vëmendje nevojën urgjente për zgjedhje në universitete. Studentët, sidomos ata të viteve të fundit që diplomohen sivjet, më kanë shprehur gjithashtu shqetësimet e tyre për mungesën e shërbimeve nga ana e IAL-ve për shkak të përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese.
Sipas raportimeve që IAL-të kanë paraqitur për prezencën e studentëve në ambientet e tyre, muaji korrik do të ketë një numër të madh studentësh të pranishëm në provime. Gjithashtu, me heqjen e kufizimeve të transportit publik, studentët dhe pedagogët mund të udhëtojnë lirisht ditën e zgjedhjeve – gjithmonë duke pasur kujdes ruajtjen e distancave fizike dhe pajisjen me mjete mbrojtëse kundër COVID-19.
Javën që lamë pas, përfundoi edhe afati ligjor për gjendjen e jashtëzakonshme në vend. Por, duke marrë parasysh rritjen e rasteve të infektimeve, është akoma e paqartë se si do të rifillojë puna nëpër IAL në vjeshtë. Kështu që, për arsye të zgjidhjes së shumë çështjeve të shkaktuara si pasojë e përfundimit të mandateve të autoriteteve drejtuese në IAL, me propozim të rektorëve të universiteteve publike shpallim datën e zgjedhjeve në IAL më 30 korrik, 2020.
Urdhri nr. 108, i datës 08.05.2020, që shtyu pa afat zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese në IAL për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ngarkonte IAL-të të vijojnë me përgatitjet për zgjedhje dhe rektorët konfirmuan se të gjithë universitetet janë gati. Në këtë kuadër, ftoj studentët të ushtrojnë të drejtën e tyre për përfaqësim në strukturat drejtuese të universiteteve ku studiojnë.
Sot më shumë së kurrë, IAL-të duhen udhëhequr nga akademikë me integritet, të cilët kontribuojnë edhe me pjesën e tyre shumë të rëndësishme në jetësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të #PaktitPërUniversitetin”.
Top Channel