Paralajmërimi i OBSH-së: Më e keqja nuk ka ardhur ende!

30/06/2020 11:27

“Më e keqja e pandemisë së koronavirusit mund të mos ketë ardhur ende”, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjashtë muaj pasi shpërthimi nisi.

Shefi i OBSH-së tha se virusi mund të infektojë shumë më tepër njerëz nëse qeveritë nuk do të fillojnë të implementojnë politikat e duhura. Mesazhi i tij ndërkohë mbetet: testoni, gjurmoni, izoloni dhe karantinoni. Më shumë se 10 milionë raste janë regjistruar në të gjithë botën që kur koronavirusi u shfaq në kinë, në fund të vitit të kaluar.

Numri i pacientëve që kanë humbur jetën ndërkohë ka kapërcyer 500 mijë. Gjysma e rasteve globale janë regjistruar në SHBA dhe Evropë, por Covid-19 po rritet shpejt në kontinentet amerikane.  Virusi po prek po ashtu edhe Azinë Jugore dhe Afrikën, ku nuk pritet të arrijë kulmin deri në fund të korrikut. Shefi i OBSH-së tha ndërkohë se të gjithë duan që pandemia të përfundojë dhe t’i rikthehen jetës normale.

“Por realiteti i vështirë është se ne as nuk i jemi afruar fundit. Edhe pse shumë vende kanë bërë progres”, thotë ai “në shkallë globale pandemia po përshpejtohet.Me më shumë se 10 milionë raste dhe mbi gjysmë milioni viktima, nëse ne nuk adresojmë problemet e identifikuara, nëse mbetemi të ndarë dhe jo solidarë, atëherë më e keqja na pret përpara”.

Ai i kërkoi më shumë qeverive të ndiqnin shembujt e Gjermanisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë, që i mbajtën shpërthimet e tyre nën kontroll përmes politikave që përfshinin testime rigoroze dhe gjurmime.

 

Top Channel