Punësimi i rremë/ Ish-kryeministri francez dhe e shoqja fajtorë për abuzim me pushtetin

29/06/2020 21:34

Ish-kryeministri francez François Fillon dhe bashkëshortja e tij nga Uellsi, kanë marrë sot dënime me burgim për çështjen e vendeve të rreme të punës.

Politikani konservator u shpall fajtor për pagesën për Penelope Fillon prej 1.156 milionë euro, për detyrën e ndihmëses parlamentare, të cilën ajo nuk e ka bërë kurrë.

Ai është dënuar me pesë vjet burg, tre prej të cilave janë pezulluar. Bashkëshortes së tij iu dhanë tre vjet burgim.

Ky skandal ishte shkaku i anullimit të kandidaturës së tij presidenciale në vitin 2017. Të dy bashkëshortët kanë apeluar vendimin dhe kjo ndalon nisjen e burgimit të menjëhershëm të Fillon.

66-vjeçari është figura më e lartë politike franceze që merr dënim me burgim, që prej nisjes së Republikës së Pestë në 1958.

Maskat e koronavirusit që mbante çifti në sallën e gjyqit, pengonin të shiheshin reagimet e tyre gjatë dhënies së vendimit.

Në argumentimin e tij gjykatësi tha: “Pagesat nuk ishin në përputhje me punën e bërë. Zonja Fillon ishte punësuar në një post që nuk kishte asnjë funksion.”
Ajo u shpall fajtore në bashkëpunim për përvetësim dhe fshehje fondesh publike.

Të dyve iu dhanë gjoba prej €375,000 dhe u urdhëruan të kthenin 1milionë euro te fondet e parlamentit, ku Penelope Fillon ishte “e punësuar” nga viti 1998 deri në 2013.

Bashkëshorti i saj është ndaluar të mbajë post publik për të paktën 10 vjet.

Por çifti François e Penelope Fillon insiston se beteja ligjore nuk ka përfunduar dhe avokatët e tyre thonë se apeli do të japë një gjykim më të drejtë.

FOTO GALERI
1/5
Cifti Fillon ne 2012 kur u ngriten fillimisht akuzat

Top Channel