Dhjetëra qytetarë të skualifikuar nga lista e përfituesve të grantit për rikonstruksion janë mbledhur para bashkisë së Durrësit për të ankimuar vendimin.

Të premten Këshilli Bashkiak miratoi listën e 6257 qytetarëve të cilët do të përfitojnë nga granti për riparimin e dëmeve të nivelit DS1-DS3 në banesat e dëmtuara nga tërmeti. Njëkohësisht u publikua dhe lista me të pakualifikuarit për arsye të ndryshme, të cilët mund të ankimojnë vendimin brenda 7 ditëve në bashki.

“Ne ishim në listat e para. Ne kemi ardhur këtu për të marrë përgjigje, po megjithë këtë rrëmujë, nuk e dimë a do t’ia dalim. Ka dhe problem me sistemin. Duhet të hapin zyra të tjera që të përballojnë fluksin. Do mbarojë afati…”

“Ku u bazuan ata që na futën te DS2?! Padrejtësi janë duke u bërë.”

Të shqetësuar nga skualifikimi dhe afati i shkurtër kohor për të ankimuar, qytetarët kanë harruar të respektojnë masat mbrojtëse, veçanërisht distancat fizike, teksa qëndrojnë në radhë për të depozituar ankesën e tyre.

“Dikush ka dalë nga lista e dikush është futur. Dikush është bërë me pronë dhe kur s’ka pronë. Shikoni ç’bëhet aty? Bëhet fjalë dhe për koronavirusin dhe ajo është një turmë infektimi dhe kemi frikë të afrohemi aty. Ka dhe të tjerë që s’kanë ardhur akoma. Duhet zgjidh problemi. ”

Pas aplikimit në “Shtëpia ime” dhe shqyrtimit të dosjeve, nga lista paraprake u skualifikuan për arsye të ndryshme shumë qytetarë aplikues. Shkaqet kryesore të skualifikimit kanë qenë pasja e një tjetër banese në pronësi, mungesa e dokumentacionit të plotë, aplikimi më shumë se një herë për të njëjtën banesë, si dhe aplikimi për dëme në njësi biznesi.

Top Channel