Në kulmin e pandemisë, presidenti Trump luan golf!

29/06/2020 11:20

Me pandeminë që po shpërthen dhe po vendos rekorde të reja për sa i takon shkallës së infektimit, presidenti Donald Trump, bëri këtë fundjavë, atë që i pëlqen më shumë.

Ai e kaloi të dielën duke luajtur golf me senatorin Lindsey Graham, në klubin e tij të golfit në Virxhinia, Sterling. Presidenti po përballet me një presion në rritje për të dhënë shembullin e tij personal për të mbajtur një maskë mbrojtëse, ndërsa sekretari i tij i shëndetësisë paralajmëroi se po mbyllet dritarja për vënien nën kontroll të një shpërthimi infektimesh në shtete që konsiderohen konservatore.

Rastet e koronavirusit po rriten në më shumë se gjysmën e shteteve amerikane, ndërkohë që sekretari për Shëndetin dhe Shërbimet Njerëzore, Aleks Azar tha për CNN se kjo është një situatë shumë, shumë serioze dhe se dritarja po mbyllet për vënien e saj nën kontroll. I pyetur përse Trump ka refuzuar të japë shembullin e tij personal për mbajtjen e maskës mbrojtëse në publik, edhe atëherë kur qëndron në krah të këshilltarëve të tij me maska, ai përsëriti shpjegimin e Shtëpisë së Bardhë se presidenti testohet çdo ditë dhe është në një pozicion unik si lider botëror.

Por shumë republikanë, që normalisht hezitojnë të kritikojnë presidentin, po flasin tani për mbajtjen e maskave, me disa që kërkojnë një shembull të qartë nga lideri i vendit.

Top Channel