Lauren Gardner, gruaja që qëndron mbrapa atij që mund të jetë gjurmuesi më i famshëm i koronavirsuit të ri, nuk është profesioniste shëndetësore, ajo është inxhiniere.
Prej raportimit të rasteve të para të koronavirusit, tabela e Universitetit Johns Hopkins, e zezë dhe hiri, me pika të kuqe, që tregojnë për rastet e të prekurve, të shëruarve dhe vdekurve me koronavirus në 188 shtete dhe rajone, është vënë në qendër të përpjekjeve për të luftuar pandeminë nga autoritetet shëndetësore, hulumtuesit dhe politikëbërësit.
Ky projekt, që është cituar edhe nga Shtëpia e Bardhë, është kthyer në burim të informacionit për gazetarët dhe publikun, meqë numëron mbi 640 milionë klikime ditore.
Gardner, profesore e asociuar e sistemeve civile inxhinierike në Universitetin Johns Hopkins, dhe krijuese e hartës interaktive, ka thënë se nuk e ka menduar se projekti gjurmues, i krijuar brenda ditës, do të merrte vëmendje të tillë.
Mirëpo, ai është përhapur menjëherë, duke u mundësuar njerëzve që të ndjekin pandeminë në kohë reale pas raportimit të rasteve në Kinë.
Deri më tani, në gjithë botën janë regjistruar më shumë se 9 milionë raste me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, derisa 469,000 prej tyre kanë vdekur.
“Atë e kam parë si diçka që do të mund të përmbushte nevojën e hulumtimit, andaj fakti që kjo gjë ka prekur jetën e secilit në planet, është gjë paralele”, ka thënë Gardner, e cila është bashkë-udhëheqëse e Qendrës për Sisteme Shkencore dhe Inxhinieri në Universitetin Johns Hopkins.
“Mendoj se ka rezultuar me mbushje të zbrazëtisë së madhe që ka ekzistuar në të ofruarit e informacioneve për publikun”, ka thënë ajo për revistën amerikane, U.S. News & World Report.
Si erdhi deri të krijimi i tabelës gjurmuese?
Projekti ka lindur më 21 janar, kur Gardner dhe dy studentët e saj të diplomuar ishin takuar në një kafene. Përgjatë diskutimit, ata ishin fokusuar në koronavirusin e paparë deri atëherë, dhe i cili deri në atë periudhë kishte infektuar rreth 200 persona në Kinë, prej nga ishin të dy studentët, dhe në tri shtet tjera.
Në po të njëjtën ditë, zyrtarët amerikanë kanë raportuar për rastin e parë me koronavirus në Uashington, një burrë që sapo kishte vizituar provincën Hubei në Kinë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, ende nuk e kishte shpallur shpërthimin e koronavirusit si pandemi, dhe sëmundjes, që shkakton koronavirusi, ende nuk i ishte dhënë emri Covid-19.
Përgjatë bisedës, Gardner dhe një prej studentëve të saj, Ensheng Dong, kishin vendosur që të gjurmonin virusin, dhe harta ishte publikuar më 22 janar.
Projekti kishte fituar aq shumë vëmendje saqë ekipi i Gardnerit kishte lënë gjithçka anash, për t’u fokusuar në gjurmues. Deri në fund të muajit janar, kjo hartë interaktive me të dhëna ka siguruar rreth 200 milionë ndërveprime brenda ditës.
Deri në fund të muajit mars, ajo ishte klikuar mbi 1.2 miliard herë.
“Ka qenë shumë e vështirë në muajt e parë”, ka thënë Gardner, teksa i është referuar ekipit të saj.
Në muajin prill, ajo ka thënë se ekipi i saj nuk ka fjetur shumë dhe se ecja prej shtëpisë së saj në kampus ka qenë koha e saj e vetme e lirë gjatë ditës.
Si janë regjistruar të dhënat?
Fillimisht, ekipi i saj ka regjistruar të dhënat me dorë, duke u bazuar në informacionet e raportimeve të mediave dhe një komuniteti mjekësor kinez, mirëpo tani ajo ka treguar se të dhënat sigurohen në mënyrë automatike nga qendrat e shëndetit publik në gjithë botën.
Në këtë projekt tani janë të angazhuar dhjetëra persona, duke përfshirë shkolla të shëndetit publik, shërbyes të të dhënave dhe ekipe për komunikim.
Ndonëse Gardner ende mbikëqyr gjurmuesin, ajo tani është duke punuar edhe në projekte që i mundësojnë asaj analizimin e të dhënave për Covid-19, dhe jo vetëm mbledhjen dhe publikimin e tyre.
Më 12 qershor, Universiteti Johns Hopkins ka njoftuar se është bashkuar me shkencëtarë nga Scripps Research dhe ata të Universitetit të Kalifornisë në projektin që synon të tregojë pse dhe si përhapen sëmundjet që shndërrohen në pandemi.
Ky projekt ka fituar 1.3 milionë dollarë nga Institutet Kombëtare për Shëndetësi në Shtetet e Bashkuara.
Ekipi planifikon të krijojë databaza masive të trafikut ajror ndërkombëtar, të pasqyrojë motin në gjithë botën, demografitë kombëtare dhe informacionet për pacientët e sëmurë, për të kuptuar më shumë rreth koronavirusit të ri.
Përmes të dhënave, shkencëtarët synojnë të informojnë liderët dhe publikut sesi përballen sistemet komplekse në botë me shpërthime të tilla apo sëmundje infektuese. Shkencëtarët kanë thënë se shpresojnë që qeveritë do të mund të përdorin të gjeturat si mjete për të përmirësuar përgjigjjen e tyre ndaj sëmundjes Covid-19, apo për të minimizuar dëmin e shpërthimeve eventuale në të ardhmen.
Gjurmuesi tregon “apetitin që ekziston për të dhënat”
Profesorja Gardner ka modeluar në të kaluarën përhapjen e viruseve si Zika, apo ai i shpezëve. Vitin e kaluar, ajo ka parashikuar se Shtetet e Bashkuara do të mund të ktheheshin në vatra të përhapjes së fruthit, bazuar në udhëtimet ndërkombëtare ajrore dhe përjashtimet jomjekësore të imunizimit të fëmijëve, të cilat i ka shfrytëzuar si shënjues për hezitimin që ekziston në komunitet rreth çështjes së vaksinimit.
“Unë jam shumë e interesuar në çështjet rreth dezinformimit, keqinformimit dhe komunikimit të shkencës”, ka thënë ajo.
Hartë në kohë reale për përhapjen e koronavirusit
Ajo beson se gjurmuesi ka krijuar mundësi që secili person të ndjekë përhapjen e pandemisë “përmes burimeve autentike dhe transparente”.
Gardner beson se popullariteti i gjurmuesit vërteton apetitin që ekziston për ofrim të të dhënave, të cilat mund të jenë kyçe në luftimin e kërcënimeve tjera shëndetësore globale.
“Do të dëshiroja të deklaroj se neve nuk do të na duhet të krijojmë më diçka të tillë, mirëpo e ndjej se është e pashmangshme”, ka thënë ajo, sa i përket projekteve të tilla për sëmundjet në të ardhmen.
“E kam një ndjenjë se mjete të tilla të informimit tani do të ofrohen përgjithmonë, sepse shihet se ka kërkesë për to”. /REL/
Top Channel