“Hashim Thaçi, Vlora krenohet me ty”/ Ndeshja Flamurtari-Luftëtari fillon 16 minuta me vonesë, pas heqjes së pankartës

27/06/2020 18:29

Pavarësisht se nuk lejoheshin tifozët, në ndeshjen midis Flamurtarit dhe Luftëtarit një tifoz ka arritur të vendos dy pankarta, njëra me mbishkrimin ‘Hashim Thaçi, Vlora krenohet me ty’.

Delegati i ndeshjes Petrit Braja nuk lejoi nisjen e sfidës pa u hequr pankarta ‘Hashim Thaçi, Vlora krenohet me ty’, dhe tjetra ‘Drenica, zemra e shqiptarisë’ pasi nuk lejohen mesazhet politike.

Pankartat ishin në mbështetje të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të cilin së bashku me Kadri Veselin prokuroria speciale në Hagë i ka akuzuar për krime lufte.

Presidenti Hashim Thaçi, pas një qëndrimi dy ditor në Vjenë u kthye dje në Tiranë për t’ju drejtuar Kosovës e përballur atje, me një luftë të re, kësaj here me drejtësinë ndërkombëtare nën akuzë për krime lufte.

Por siç Top Channel raportoi më herët ai iu drejtua jugut të Shqipërisë. Top Channel ka siguruar fotot e tij në një restorant të njohur ku Presidenti dhe shoqëruesit e tij kanë drekuar në një restorant në Ardenicë nga ku është larguar në orën 16.15 minuta.

Tashmë pritet që të dielën mbrëmje ai të jetë në Prishtinë ku siç njoftoi më herët do të flasë nga zyra e tij për çështjen që i ka ‘trazuar’ të gjithë ditët e fundit.

Top Channel