Gjykata Federale: Transferimi i 2.5 miliardë dollarëve për ndërtimin e murit, i gabuar

27/06/2020 06:22

Një gjykatë federale apeli vendosi të premten kundër administratës së Presdentit Trump, lidhur me transferimin e 2.5 miliardë dollarëve nga projekte ndërtimi të ushtrisë për të ndërtuar segmente të murit me Meksikën, duke arritur në përfundimin se një veprim i tillë ishte anashkalim i paligjshëm i Kongresit, që duhet të vendosë se si të përdoren fondet.

Gjykata e Apelit e Distriktit të nëntë ra dakord me një grup shtetesh kufitare dhe organizatash ambjentaliste që kishin argumentuar se transferimi i parave ishte i paligjshëm dhe se ndërtimi i murit do të rrezikonte mjedisin.

Vendimi ishte kthesa e fundit në një betejë ligjore, që përgjithësisht ka shkuar në favor të Presidentit Trump. Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata e Lartë lejoi shpenzimin e 2.5 miliardë dollarëve, ndërsa vazhdonin përpjekjet ligjore, gjë që e minimizon efektin e fundit të gjykatës së apelit.

Administrata e ka akorduar pjesën më të madhe të shumës, përfshirë 1.3 miliardë dollarë në Arizona që u shpallën muajin e kaluar. Presidenti Trump ishte në Yuma të Arizonës të martën për të shënuar ndërtimin e 200 miljeve (mbi 320 kilometra), gjatë mandatit të administratës së tij, pjesa më e madhe me fondet e transferuara që gjykata i quan të paligjshme.

Pas transferimit të 2.5 miliardë dollarëve në fonde ushtarake, Pentagoni akordoi duka i ndryshuar qëllimin 3.6 miliardë dollarëve të tjerë që një gjykatë në Nju Orleans arriti në janar në përfundimin që mund të shpenzoheshin.

Votat e gjykatësve ishin 2 pro (të emëruar nga ish-presidenti Bill Clinton) dhe 1 kundër (i emëruar nga Presidenti Trump).

Top Channel