“Ata përhapin koronën”/ Thyerje xhamash, grushte- Akte të dhunshme ndaj emigrantëve në Itali

27/06/2020 12:28

Fyerje dhe përplasje fizike, kjo vazhdon të jetë situata prej disa orësh në komunën Mondragone, në provincën e Kasertas në Itali.

Shkak është bërë shfaqja e një vatre Covid-19 në komunitetin e emigrantëve të huaj, kryesisht të etnisë bullgare, që jetojnë në këtë qytezë e punojnë në sektorin e bujqësisë.

Vatra e pandemisë në Mondragone ka regjistruar deri më sot 49 emigrantë të infektuar duke detyruar autoritetet ta shpallin zonë të kuqe, ku askush nuk mund të hyjë e të dalë në territorin e saj deri më datë 30 qershor.

Rreth 100 emigrantëve të tjerë u janë kryer tamponët e janë në pritje të përgjigjes, e janë dërguar të kalojnë karantinimin në një strukturë të kontrolluar. Ky fakt ka provokuar dhunë mes banorëve vendas që prisnin të nisnin këtë sezon vere me turistët e parë që kanë prenotuar në qytezën e tyre buzë detit, por që për shkak të vatrës së infektimit kanë anuluar udhëtimin.

Akte të dhunshme në rrugë, thyerje xhama makinash me targa bullgare, e të tjera vazhdojnë prej disa orësh në rrugët e kësaj komune e që nuk kanë mundur të ndalen as nga ndërhyrja e forcave te policisë.

Situata e tensionuar ka kërkuar ndërhyrjen e ushtrisë e përgjatë natës rreth 50 forca ushtarake kanë mbërritur në Mondragone me kërkesë të guvernatorit të rajonit të Kampanjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA