Drejtoria e Transportit Rrugor në Tiranë, rreth orës dy pas mesnate ka rënë pre e vjedhjes.

Dyshohet se dy autorë kanë hyrë në ambientet e brendshme të godinës, në zyrat e drejtorisë së patentës dhe kanë marrë një kasafortë, në të cilën, sipas burimeve të policisë kanë qenë rreth 500 mijë lek të vjetra.

Mungesa e kasafortës është konstatuar nga sanitarja e objektit, mëngjesin e së mërkurës, e cila më pas ka njoftuar policinë.

Autorët kanë mundur të hyjnë nga pjesa e pasme e drejtorisë. Ata kanë hapur njërën prej kasafortave në të cilën nuk kanë gjetur sende me vlerë për ta dhe kanë marrë kasafortën tjetër,të cilët e kanë nxjerrë po nga pjesa e pasme e godinës.

Grupi hetimor, ka bërë kqyrjen paraprake të kamerave të sigurisë, në të cilën shihen dy autorët të maskuar, të cilët më pas largohen me një automjet ngjyrë të zezë, të cilës i janë identifikuar edhe targat dhe po punohet për të parë se në pronësi të kujt është.
Ndërkaq, policia ka marrë në pyetje rreth 10 punonjës të drejtorisë së patentave të cilët kanë pasur dijeni për shumën e parave që ndodhej në kasafortë, mes tyre edhe rojet private të cilët kanë qenë në shërbim gjatë natës.

Në anën tjetër, burimet bëjnë me dije, se janë edhe dy persona të tjerë të shoqëruar, me precedentë të mëparshëm penal, mbi të cilët janë ngritur dyshimet se ata mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e parave të këtij institucioni është tërhequr pasditen e djeshme nga ana e personave përgjegjës.

Top Channel