Vullnetarët në një strehë qensh në Pekin, u japin ushqim dhjetëra kafshëve të shpëtuara që ishin të destinuara për festivalin e polemizuar të mishit të qenit që ka nisur këtë javë në Kinën Jugore.
Eventi i përvitshëm në qytetin Yulin, gjithnjë shkakton zemërimin e aktivistëve që mbrojnë të drejtat e kafshëve, por këtë vit, ata shpresojnë se pandemia e koronavirusit do të jetë vdekja e një tradite që sipas tyre është mizore.
Mishi i qenit besohet se është i mirë për shëndetin në disa pjesë të Kinës, por zakoni është në rënie të vazhdueshme pasi gjithnjë e më shumë banorë në zonat urbane, vendosin ti mbajnë ata si kafshë shtëpiake. Pandemia e koronavirusit duket ndërkohë se ka reduktuar oreksin për mish qeni pasi sëmundja u lidh me një treg në qytetin e Vuhanit ku shiteshin edhe kafshë të egra.
Në mesin e shqetësimeve për higjenën, Kina nxorri një ligj të ri që ndalon konsumimin dhe tregtimin e këtyre të fundit. Ligji nuk i referohet në mënyrë direkte mishit të qenit por disa qytete jugore e kanë ndaluar tashmë konsumin e tij. Muajin e kaluar, ministria e bujqësisë i riklasifikoi qentë si kafshë shërimi dhe jo bagëti, edhe pse nuk u shpreh prerë për mos ngrënien e mishit të tyre.
Pamjet që sjell AFP nga festivali i këtij viti i mishit të qenit, tregojnë dhjetëra qen të mbyllur në kafazë të vegjël e të pistë, dhe kasapët para tavolinave të mbushura me mish qeni.
Top Channel