Top Story niset për në Këlcyrë, bashkë me ekipin e “Balkan River Defence”. Në makina janë vendosur disa kajak, ku do të përdorën për lundrimin nga Këlcyra e deri në Mallakastër, në Poçem. Aktivistët duken të mirë përgatitur për rrugëtimin në natyrë. Ata janë të pajisur me çdo gjë që u duhet, nga aparatet e xhirimit e deri tek ushqimet, tendat, veshmbathjet. Ata e dashurojnë natyrën dhe e shijojnë në të gjitha mënyrat e saj.

Ekipi mbërrin në një pikë strategjike, pranë Këlcyrës, për nisjen e aventurës me kajak. Fillimisht me uniformat përkatëse, të cilat shpesh here e rrisin vështirësinë e këtij udhëtimi për shkak të temperaturave të larta. Por, pasioni është mbi gjithçka. Pasioni i ka bërë qëndrestarë ndaj projekteve për ngritjen e hidrocentraleve. Top Story do të ndjekim gjithë rrugëtimin e tyre, madje, edhe nga bordi i një kajaku me Rok Rozman, udhëheqësi i grupit.

“Udhëtimi do të zgjasë për 31 ditë, në gjashtë vende, 12 lumenj dhe 18 evenimente, që të rrëzojmë mitin e energjisë hidrike të rinovueshme e që mbron mjedisin. Duam të vërtetojmë që nuk është ashtu. E bëj sepse lundroj me kajake dhe këta lumenj janë miqtë e mi. Zemra më thotë që duhet t’i ndalojmë shkatërrimet, sepse janë të panevojshme”, thotë Rock Rozman, Balkan River Difence.

Përveç pasionit, ky udhëtim është edhe mision. Në Shqipëri, mbase pakkush është i interesuar për shpëtimin e një lumi, por shumë ndoshta nuk e dinë se Vjosa është i fundmi i lumenjve të egër në kontinent. “Ky lumë ka nevojë për ndihmë nga të gjithë, jo vetëm nga unë. Ka nevojë për ndihmë nga vendasit dhe nga publiku ndërkombëtar”, thotë Rock Rozman, Balkan River Difence

Roku është biolog dhe ka udhëtuar shumë. Ai, nuk është thjesht ushtrues i një sporti, por një njohës i mirë i rrezikut që vjen nga digat.
“Rreziku është gjithçka që shihni këtu. Nëse ndërtojnë një digë në Kalivaç, kjo këtu do të mbulohet me 4 metra ujë. Ky rezervuar do të jetë një liqen i vdekur, që do të thotë se s’do të mbijetojë asgjë. Përveç kësaj, prodhon metan dhe dyoksid karboni që po na shkatërrojnë klimën. Digat s’e shpëtojnë krizën e klimës, por e përkeqësojnë”, thotë Rock Rozman, Balkan River Difence.

Teksa udhëtojmë përgjatë Vjosës, informacioni i detajuar që ka ky aktivist për Vjosën të bën të mendosh sikur ai është rritur në këto anë. Dashuria që shpreh për natyrën në Luginën e Vjosës është e pashtershme. Ai e di shumë mirë se ndërtimi i digave, do të thotë shkatërrim në disa drejtime.

“Nëse ndërton një digë, vritet lumi. Nëse ndërpret rrjedhën, s’është më lumë, por liqen. Dhe kështu do të shkatërrohej jo vetëm ekosistemi, por edhe njerëzit këtu pranë nxjerrin ushqimin nga këto lumenj. Bagëtitë varen nga këto lumenj. Toka bëhet pjellore. Do të shkatërroje kulturën dhe natyrën, si dhe mundësinë për ekoturizëm”, thotë Rock Rozman, Balkan River Difence.

Rok Rozman, e di mirë se investimet për digat, janë projekte për të fituar shumë para në kohë të shkurtër. Hapja e vendeve të punës nuk janë veçse provizore. Ndërkohë ekosistemi që shkatërrohet nuk kthehet më. “Digat bëhen për njerëz që kanë shumë para, e që duan të fitojnë më shumë. Është një mënyrë pastrimi parash. Nuk do ta zgjidhë krizën e energjisë dhe nuk do të japë elektricitet në këto vende, sepse këto vende kanë mjaftueshëm elektricitet”, thotë Rock Rozman, Balkan River Difence.

Paralalelisht me ne, udhëtojnë me kajakë edhe kolegët e tjerë aktivistë të Rozmanit. Udhëtimi është plot adrenalinë në rrjedha të rrëmbyeshme, gjarpërime të ngushta e herë – herë lugina zgjerohet deri në 2 kilometër gjerësi dhe me ujë të qetë. Shtrati i Vjosës duket i sigurt edhe për kajakistët fillestarë.

Pas rreth 50 minutash, mbërrijmë pranë zonës së quajtur Syri i Kaltër. Një perlë e pazbuluar dhe që mund të vizitohet vetëm me kajak.
Kajakistët ç’lodhen për pak minuta, bëjnë foto dhe nisen sërish për udhëtimin e tyre të gjatë. Rrugës ata shohin mrekulli natyrore, një ujë të kristaltë, male rreth e përqark dhe një gjelbërim unik. Është pikërisht ky habitët që ata nuk duan të humbasë kurrë dhe për këtë kanë ardhur të luftojnë.

Top Channel