Mbaron gjendja e fatkeqësisë natyrore/ Manastirliu: Vijojnë të mbeten në fuqi masat e marra për epideminë

23/06/2020 09:42

Në një komunikim live, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bënë thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes dhe të zbatojnë masat dhe protokollet e vendosura, në mënyrë parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Sot ka përfunduar gjendja e fatkeqësisë natyrore, por kjo nuk duhet të ulë gatishmërinë për të përballuar koronavirusin.

Vendi vijon të jetë në gjendje epidemie për shkak të Covid-19 dhe kështu do të vazhdojnë të jenë të ndaluara grumbullimet dhe do të jenë në fuqi të gjitha masat e marra në përballim të Covid.

“Dua të vlerësoj që në fillim punën e stafeve mjekësore, të epidemiologëve, urgjencës kombëtare dhe të gjithë strukturave të shëndetësisë, që vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e COVID19, gjithashtu dua të ndaj me ju planin për vijimin e përballimit të situatës në strukturat shëndetësore, duke besuar se do të vazhdojmë të kemi bashkëpunimin e secilit prej jush në zbatimin e rregullave dhe protokolleve të sigurisë, për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe sistemin tonë shëndetësor!

Përfundimi i gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk e ul gatishmërinë tonë në përballje me këtë virus të rrezikshëm, pasi vendi vijon të jetë në gjendje epidemie si pasojë e situatës së shkaktuar nga SARS-COV2. Që do të thotë që do të vijojnë të mbeten në fuqi të gjitha masat e marra në kuadër të gjendjes se epidemisë. Bazuar në ligjin për sëmundjet infektive, do të vijojnë të jenë të ndaluara grumbullimet e çdo lloji, si rrezik i lartë për përhapjen e virusit, do të vijojë karantinimi i personave të konfirmuar me COVID19 si rregull përgjatë gjithë kësaj gjendje, do të vijojnë të jenë në fuqi masat për të kufizuar përhapjen e infeksionit”, shprehet Manastirliu.

Ministrja shton se strukturat e Task-Forcës anti-Covid vijojnë të jenë të angazhuar 24/7 në të gjithë territorin, me kapacitet të plotë dhe çdo thyerje e rregullave do të konsiderohet kërcënim për shëndetin e popullatës.

“Të dashur qytetarë, sikurse jeni në dijeni, situata epidemiologjike në vend ka patur një trend në rritje gjatë javëve së fundit sa i përket numrit të shtuar të rasteve pozitive ditore por edhe të shtrimeve në Spitalin Infektiv në QSUT, gjej rastin të apeloj sërish për rritjen e ndërgjegjsimit të çdonjerit prej jush, mbajtjen e rregullave të distancimit social, vendosjen e maskave aty ku duhet dhe ruajtjen e higjenës personale.

Janë armët e vetme që kemi, për të shmangur përhapjen e këtij virusi të rrezikshëm që është ende prezent. S’duhet ta lejojmë këtë virus të na infektoje, të infektojë të afërmit tanë, fëmijët e prindrit tane. Nëse në fazën e parë, me masat e shpejta ja dolëm me sukses ta zbusim kurbën e infektimit dhe të mbronim sistemin shëndetesor nga mbingarkesa, duhet të veprojmë po me kaq kujdes dhe vetëdije të lartë dhe në këtë fazë të dytë”.

Top Channel