Kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian mund të mbeten të mbyllur për qytetarët e Kosovës dhe vendeve tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, edhe pas datës 1 korrik, pavarësisht rekomandimit të mëhershëm të Komisionit Evropian që ato të hapen në këtë datë.

KE-ja para dy javësh rekomandoi që kufijtë e brendshëm të bllokut të hapen jo më vonë se me datën 15 qershor, ndërsa ata të jashtëm gradualisht prej 1 korrikut. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioni kishte rekomanduar që kufijtë e jashtëm të hapen prej 1 korrikut duke e arsyetuar në atë kohë këtë rekomandim me gjendjen e mirë epidemiologjike.

Komisioni kishte konstatuar se kjo situatë në vendet e Ballkanit Perëndimor është “e ngjashme apo edhe më e mirë sesa në vendet e BE-së”. Por që prej atëherë gjendja në rajon është përkeqësuar, me rritjen e shpejt të numrit të të infektuarve me koronavirus. Kjo ka bërë që disa shtete të BE-së të marrin masa individuale dhe që në nivel të BE-së të vihet në pikëpyetje heqja e kufizimeve për hyrjen në BE të shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Zëdhënësi për çështje të migrimit në Komisionin Evropian, Adalbert Jahns, ka thënë se u takon vendeve anëtare të vendosin për heqjen apo jo të kufizimeve për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Rekomandimi për nuk ishte vetëm për shkak të situatës epidemiologjike por edhe për shkak të raporteve të BE-së me atë rajon. Sa i përket situatës, ne jemi duke e ndjekur me shumë kujdes. Diskutimet në Këshill janë në vazhdim e sipër dhe në ato diskutime merret parasysh edhe situata aktuale epidemiologjike”, tha zëdhënësi.

Edhe pse Komisioni Evropian mund të paraqesë rekomandime, vendimi për të hapur apo jo kufijtë u takon vendeve anëtare. Disa vende anëtare të BE-së tashmë janë duke i rritur masat për kufizimin e hyrjes së shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kështu ka vendosur Sllovenia, ndërsa Kroacia kërkon që personat që hyjnë në territorin e saj, e rrjedhimisht edhe në atë të BE-së, të dëshmojnë arsyen e domosdoshme për një udhëtim të tillë. Në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të infektuarve me koronavirusin e ri.

Top Channel