Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet një reagimi në facebook, ka shprehur mbështetjen e tij ndaj partive politike që janë pjesë e listës së Luginës së Bashkuar.
“Më tepër se kurdo herë tjetër, ruajtja e frymës së bashkëpunimit ndër-partiak e unitetit të brendshëm politik është e rëndësisë së patjetërsueshme në Luginën e Preshevës dhe jo vetëm.” – theksoi Cakaj në postim.
Kjo, sipas Kryediplomatit Cakaj, përfshin edhe shmangien e çdo pengese, kërcënimi, apo fushate të pavërtetash nga partitë që kanë mendim ndryshe për këtë ndërmarrje, vetëm në të mirë të shqiptarëve.
Cakaj shprehu bindjen, se pavarësisht se ekzistojnë shumë parti shqiptare, në Luginën e Preshevës duhet të ketë vetëm një faktor politik shqiptar, me platformë të unifikuar, në shërbim të mbrojtjes e lartësimit të të drejtave të tyre kombëtare.
“Ndaj, ju lutem: mbështetja masive dhe e fuqishme e listës së Luginës së Bashkuar është skajshmërisht e rëndësishme nga të gjithë pa asnjë dallim. Kësaj rradhe, sjellja e përgjegjshme politike e vetëdija e lartë kombëtare duhet të mbizotërojnë llogaritë e ngushta partiake.” – bëri thirrje për mbështetje Ministri në detyrë Cakaj.
Gjithashtu, ai shtoi se asgjë nuk përfundon me këtë ndërmarrje, pasi mbështetja e kësaj liste është thjesht pikëfillimi i një pune të përbashkët sistematike, për t’i trajtuar të gjitha çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës një e nga një!
“Ndaj, kësaj rradhe me fort përgjegjësi politike: të gjithë në mbështetje të listës së Luginës së Bashkuar.” – përfundoi Cakaj reagimin e tij.
Top Channel