SHBA, demokratët përpiqen të bllokojnë tërheqjen e trupave nga Gjermania

19/06/2020 02:24

Ligjvënësit demokratë në Kongres paraqitën një legjislacion të enjten për të bllokuar planin e Presidentit Donald Trump për të tërhequr 9.500 trupa amerikane nga aleati i ngushtë, Gjermania, duke ndaluar përdorimin e fondeve për tërheqjen e forcave amerikane nga Evropa pa miratimin e Kongresit.

Ligjvënësi Eliot Engel, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe senatori Bob Menendez, anëtar demokrat i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, paraqitën projektligjin, duke pasqyruar shqetësimin në Kongres nga demokratët si dhe kolegët e tyre republikanë mbi planin e Presidentit Trump për pakësimin e numrit të trupave në Gjermani.

Presidenti Trump tha të hënën se do të pakësonte numrin e trupave në Gjermani në 25,000, duke fajësuar Berlinin për dështim në përpjekjet për të përmbushur synimin e NATO-s për shpenzimet në fushën e mbrotjes dhe për trajtim të padrejtë të Shteteve të Bashkuara në fushën e tregtisë. Ulja e numrit të trupave do të ishte një vërejtje e madhe për një nga partnerët më të ngushtë tregtarë të Shteteve të Bashkuara dhe mund të gërryejë besimin në një nga shtylla e sigurisë evropiane të pasluftës, se forcat amerikane do të mbronin anëtarët e aleancës kundër një agresioni rus.

Sipas pjesës së kushtetutës amerikane që shpjegon ndarjen e pushteteve, Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, jo Shtëpia e Bardhë, kontrollojnë shpenzimet qeveritare. Ligjvënësit shpesh përdorin pushtetin e tyre të kontrollit të buxhetit për të ushtruar ndikim mbi politikat, si mbajtja hapur e burgut në Gjirin e Guantanamos duke ndaluar shpenzimin e parave federale për ta mbyllur atë. Projekt-ligji do të ndalonte përdorimin e fondeve për tërheqjen ose pakësimin e pranisë së forcave të armatosura amerikane në Evropë, përveç në rastet kur qeveria e vendit pritës e kërkon atë, ose presidenti e deklaron atë qëllim 180 ditë më parë, justifikon vendimin, Kongresi e miraton atë dhe Sekretarët e Shtetit dhe të Mbrojtjes dëshmojnë në Kongres në lidhje me të.

“Vendimi katastrofik i Presidentit Trump për tërheqjen e mijëra trupave nga Gjermania dhe vendosja e një kufiri mbi numrin e përgjithshëm të trupave atje, rrezikon sigurinë tonë kombëtare”, tha ligjvënësi Engel në një deklaratë. “Legjislacioni ynë do ta ndalë përpjekjen e administratës për ta zbatuar këtë politik shkatërruese”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA