Vendosja e perimetrit të sigurisë pranë disa objekteve të dëmtuara nga tërmeti është kthyer në domosdoshmëri në disa lagje të Durrësit.
Këta banorë të një pallati në lagjen nr.5 të Durrësit kanë protestuar sërish para bashkisë. Këtë herë për rrezikshmërinë e lartë që paraqet pallati i tyre jo vetëm për familjet e pakta që banojnë në të, po dhe për fëmijët e kalimtarët që kalojnë poshtë tij. Pas çdo lëkundjeje sizmike, pallati i shpallur nga ekspertët i pabanueshëm pëson dëme të reja dhe thellon pjerrësinë e animit.
“Pallati është jashtë standardit dhe askush nuk ka sjellë roje për të ruajtur pallatin dhe po vret kalamajtë. Në tërmetin e fundit ka çarë betonin e këputur në mes platenë dhe është gati për të rënë. Ka ceduar tani mbi 70%. Banojnë nja 5 familje që janë të detyruar të qëndrojnë aty. Ne kërkojmë që të vihet roje dhe të largohen fëmijët që luajnë në ambjentet e pallatit.
Pallati është shumë rrezik për banorët, komshinjtë dhe kalimtarët, ndaj të ndërhyhet sa më shpejt pasi rrezikohen jetë njerëzish.
Kemi të njëjtin problem, nuk dimë çfarë do të bëhet me pallatin tonë. Është shumë i dëmtuar dhe paraqet rrezikshmëri të lartë. Instituti thotë se riparohet, po italianët thanë se duhet të bëhet studimi gjeologjik i tokës pasi pallati ka ceduar. Deri tani jemi në pikën zero”, shprehen banorët.
Top Channel