Ky është treni i linjës Durrës-Kashar, një nga të paktët trena që kalon në stacionin e Vorës, një nga interkonjeksionet më të rëndësishme të vendit tonë.
Hekurudha shqiptare tashmë ndodhet në një gjendje të mjerueshme, pasi prej vitesh ministria e infrastrukturës ka zvarritur procesin e tenderimit. Vitin që shkoi, kjo ministri, hapi tenderin për rehalibilitim e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës me degëzim Rinasin, dhe duhej që dokumentat të dorëzoheshin deri në datën 20 janar të këtij viti. Fazën e parë, parakualifikuese, e kaluan vetëm 6 kompani nga 25 që shprehën interesin.
Por deri tani, ende nuk ka asgjë konkrete lidhur me kompaninë që do të mund të ndërtonte këtë linjë hekurudhore, pasi sipas një dokumenti që Top Channel disponon, i cili mban datën 15 prill Ministria e Infrastrukturës thotë:
“Referuar Raportit te Vlerësimit te kryer nga ana e Konsulentit por edhe pas verifikimit te dokumentacionit teknik nga ana e Komisionit te Vlerësimit te Ofertave, konstatohet se nga ana e të gjithë ofertuesve ka mangësi ne dokumentacion ose në përmbajtje të tij, në ofertat e paraqitura. Secili prej ofertuesve paraqet mangësi në dokumentacionin teknik dhe gjithashtu secili prej tyre ka nevojë për plotësime/sqarime të përmbajtjes teknike të dokumentacionit te përcjellë”.
Rehabilitimi i hekurudhës Tiranë Durrës, me degëzim Rinasin, ka një gjatësi prej 39 kilometrash, dhe kostoja totale e ndërtimit është 90.5 milionë euro. 36.9 milionë euro janë siguruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, 35.4 milionë janë dhënë si garant falas nga BE, kurse qeveria shqiptare do të duhet të mbulojë kostot e shpronësimeve dhe tatimin e mbi vlerën e shtuar.
Asnjëra nga kompanitë që shprehën interes, nuk arriti të kalonte dot fazën e parë, e për të kaluar më pas në fazën e dytë, e cila është ajo e ofertës ekonomike. Për këtë arsye Ministria e Infrastrukturës, sipas dokumentit që Top Channel disponon, ka sugjeruar që t’i kërkohet Berzh, ndryshimi i dokumentave të tenderit duke rizhvilluar fazën e parë dhe të njoftohen të gjitha subjektet e parakualifikuara për të ridorëzuar propozimet e tyre teknike sipas kërkesave. Kjo ministri kishte parashikuar që në prill të këtij viti, duhej lidhur kontrata, ndërsa punimet duhet të zgjasnin rreth dy vite, por mesa duket ende do të duhet të presim, për të hipur përsëi në tren. /Andi Bora/
Top Channel