Dyshime mbi Kinën, Australia nën sulm kibernetik

19/06/2020 13:40

Kryeministri australian tha të premten se vendi i tij ishte vënë nën një sulm të gjerë kibernetik nga një aktor-shtetëror, që kishte patur në shënjestër qeverinë, shërbimet publike dhe bizneset, por nuk dha një emër fajtori.

Duke paralajmëruar australianët për rreziqe specifike dhe një frekuencë në rritje të sulmeve, Scot Morrison tha në një konferencë për shtyp se një varg institucionesh janë goditur.

“Ky aktivitet ka vënë në shënjestër organizata australiane në një varg sektorësh, përfshirë të gjitha nivelet e qeverisë, industrinë, organizatat politike, edukimin, shëndetësinë, siguruesit e shërbimeve esenciale dhe operatorët e infrastrukturave të tjera kritike”.

Ai fajësoi për këtë një aktor shtetëror të sofistikuar, që mund të jetë një nga një grusht vendesh që konsiderohen armiqësore. Kina, Irani, Izraeli, Koreja e Veriut, Rusia, SHBA dhe një numër vendesh të tjera evropiane, dihet se kanë zhvilluar aftësi lufte kibernetike. Dyshimet me shumë gjasa do të bien mbi Pekinin, që kohët e fundit ka vendosur sanksione tregtare mbi produktet australiane në mesin e përshkallëzimit të përplasjes mbi ndikimin kinez. Australia ka zemëruar kinën duke kërkuar një hetim për origjinën e pandemisë së koronavirusit.

Pekini, gjithnjë e më shumë po tregon se nuk i toleron kritikat për politikat e tij dhe ka paralajmëruar studentët dhe turistët kinezë të mos shkojnë në Australi. Madje Pekini ka kërcënuar edhe me më shumë sanksione dhe ka dënuar një shtetas australian me vdekje për trafik droge.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA