Brenda një prej laboratorëve kinezë që është në garë për krijimin e një vaksine të koronavirusit, kërkuesit punojnë pa pushim, majmunët e laboratorit mungojnë dhe po bëhen plane për testime të gjera tek njeriu.
Yisheng Biopharma, një kompani me qendër në qytetin e Shenyangut, ka punuar pa ndalim nga janari për të gjetur plumbin e artë kundër sëmundjes që u shfaq në kinë, vitin e shkuar. Një rishtim i rasteve në Pekin, pasi kina kishte vendosur virusin nën kontroll, ka rikthyer në vëmendje urgjencën që bota të gjejë një vaksinë kundër koronavirusit që ka vrarë më shumë se 450 mijë njerëz në botë. Yisheng është i njohur për vaksinat kundër tërbimit, i është dedikuar tani tërësisht vaksinës së koronavirusit dhe po rekruton madje edhe kërkues të rinj. Kompania është ende në fazat e hershme të zhvillimit por do të ndërmarrë rrezikun e fillimit të prodhimit të vaksinës në shtator, para se të përfundojë testet klinike, në mënyrë që dozat të jenë gati për publikun nëse produkti miratohet.
“Kjo vaksinë duhet të mbërrijë shpejt dhe është e pamundur të pritet deri në sezonin e ardhshëm epidemik për të përfunduar testimet dhe sezonin e tretë epidemik për të përdorur vaksinën”, thotë presidenti i kompanisë për AFP.
Sipas tij, kërkuesit nuk pushojnë në fundjava që kur ata morën hartën gjenetike të koronavirusit, në fund të janarit. Ka shumë punë për të bërë – thotë ai.
Vaksina e kompanisë është në fazën e testimit tek kafshët, që i paraprin asaj tek njerëzit. Zhang tha se testimi tek minjtë dhe lepujt ka dhënë rezultate të mira, duke u dhënë atyre nivele të larta antitrupash neutralizues. Vaksina pritet jo vetëm të mbrojë të shëndetshmit nga infeksioni por edhe të shërojë pacientët me Covid. Hapi i radhës është testimi tek majmunët por këta të fundit janë bërë të kushtueshëm për shkak të kërkesës së lartë nga laboratorët që testojnë një varg ilaçesh për covid 19 dhe vaksinash të mundshme. Më parë, laboratori paguante 1400 deri 2800 dollarë për një majmun. Tani, çdo kafshë kushton rreth 15 mijë dollarë.
Top Channel