Policia e Tiranës vuri në pranga një nga bashkëautorët e vrasjes së Hekuran Billës ngjarje që një javë më parë në zonën e Komunës së Parisit.

I arrestuari është, Sebastian Mali 22 vjeç, i cili rezulton të jetë nipi i Prel Marku. Ky i fundi u vra nga Billa në vitin 2006 në një lokal në Angli.

Një ditë pas ngjarjes, Top Channel, raportoi se në polici ishin shoqëruar tre shkodranë e po ashtu në kërkim ishte shpallur Viktor Marku, vëllai i Prel Markut, të cilin policia ka dyshime se mund të jetë edhe ai i përfshirë në vrasje.

Ndërkaq, për 22 vjeçarin Mali, policia e ka gjurmuar dhe ndjekur atë për ditë me radhë, derisa arriti të grumbullonte faktet dhe provat shkencore që ai është një nga bashkëautorët për ekzekutimin e Billës përpara një qendre tregtare në datë 11 qershor.

Në këtë video që Top Channel ka siguruar pak moment përpara ekzekutimi, shihet teksa automjeti i Hekuran Billës, Tip BMW X6 hynë në zonën e komunës së parisit, për të shkuar përpara një qendre tregtare.

Pamjet tregojnë që pas tij, nuk ndodhet makina e autorëve, por dyshimet e policisë ka pasur të tjerë bashkepunëtorë që kanë dhënë detaje mbi lëvizjet e Billës.

Dy minuta më pas, autorët vijnë dhe qëllojnë mbi automjetin e viktimës, duke e lënë atë të vdekur brenda saj. Ata më pas largohen, në një tjetër rrugë nga ajo që erdhën, duke hyrë në unazën e re, për të shkuar më pas në Pezë të vogël aty ku dogjën automjetin.

Policia zyrtarisht thotë se po punon për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.

Ndërkaq, mbi të arrestuarin Sebastian Mali, do të rëndojë akuza e Vrasjes për gjakmarrje”, e kryer në bashkëpunim dhe ”Armëmbajtja pa leje”. /Andi Bora/

Top Channel