Administrata e presidentit Donald Trump po bën përpjekjet e fundit për të ndaluar publikimin e një libri të ri nga këshilltari i shkarkuar i sigurisë John Bolton, i cili mes të tjerave shkruan në të se Donald Trump ka kërkuar ndihmë nga Kina për rizgjedhjen sivjet.
Departamenti amerikani drejtësisë ka lëshuar një urdhër emergjence për ndalimin e librit për arsye të sigurisë kombëtare.
Por ekspertë kushtetues thonë se lëvizja nuk mund të ketë sukses sepse mediat tashmë kanë publikuar pjesët më të rëndësishme nga libri.
Libri i titulluar “The Room Where It Happened” (Dhoma ku ndodhi) publikohet më 23 qershor. Në të John Bolton bën panoramën e një presidenti vendimmarrja e të cilit komandohet nga dëshira e tij e vetme për t’u rizgjedhur.
Shumë nga pretendimet e tij e kanë origjinën në biseda private dhe si të tilla nuk mund të verifikohen. Administrata Trump ka refuzuar pretendimet e Bolton dhe presidenti thotë se libri është ndërtuar me “gënjeshtra dhe histori të rreme”.
Trump tha: “Shumë nga deklaratat qesharake që më atribuohen mua janë trillime, unë nuk i kam bërë kurrë. Ai vetëm po përpiqet të marrë hak që e shkarkova, si qenush nevrik që është”.
Por megjithatë libri i Bolton po pritet me padurim, prej pozitës së lartë që ka pasur si këshilltar i sigurisë së presidentit të SHBA.
Disa nga pretendimet kryesore në libër:
• Presidenti Trump ka kërkuar ndihmë nga President Xi Jinping për të fituar në presidencialet e 2020 duke theksuar “rëndësinë e fermerëve dhe blerjeve kineze të sojës e drithërave ”
• Ai ka thënë se ndërtimi i kampeve kineze në Xinjiang ishte “gjëja e duhur për të bërë”
• Presidenti Trump ishte gati të ndërhynte në hetimet kriminale për të favorizuar persona të caktuar
• Trump ka thënë se pushtimi i Venezuelës do të ishte “interesant”
• Presidenti Trump nuk ishte në dijeni se Britania është fuqi bërthamore dhe njëherë ka pyetur një zyrtar nëse Finlanda është pjesë e Rusisë.
Top Channel