Ekzekutimi i Hekuran Billës/ Arrestohet një nga bashkëpunëtorët në vrasje, nipi i Prel Markut i vrarë në 2006-ën

18/06/2020 10:52

Policia ka arrestuar një nga bashkëpunëtorët e ekzekutimit të Hekuran Billës tek Komuna e Parisit. Ai është Sebastian Mali, dhe një ditë pas ngjarjes Top Channel raportoi për shoqërimin e tre shkodranëve, ku po ashtu ishte shpallur në kërkim Viktor Marku, vëllai i Prel Markut që e ekzekutoi Hekuran Billa në vitin 2006 në Angli.

Arrestimi i Sebastian Malit është bërë pasi me prova shkencore është vërtetuar që ai ka qenë bashkëpunëtor në vrasje.

Më parë është shpallur në kërkim dhe një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje njofton policia.

“Nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës dhe Sektori i Forcës Operacionale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, pas një pune të mirorganizuar dhe të pandërprerë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë i mundur ndalimi i shtetasit Sebastian Mali, 22 vjeç, banues në Tiranë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, në datën 11.06.2020, rreth orës 21:50, në rrugën ”Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit H. B. Shtetasi S. M. është nipi i shtetasit P. M., i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga shtetasi H. B. Menjëherë, pasi ndodhi kjo ngjarje është bërë edhe shpallja në kërkim e shtetasit V. M., si një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje. Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar 3 automjete dhe një sërë provash të tjera materiale, me të cilat dokumentohet implikimi i këtij shtetasi në këtë ngjarje“, njofton policia.

Hekuran Billa 40 vjeç, u ekzekutua brenda makinës së tij, përballë një qendre tregtare në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes me automjetin e tyre, dhe 30 minuta më pas, policia gjeti në fshatin Pezë të vogël një makinë duke u djegur, e cila dyshohet se i përket autorëve. Brenda saj, grupi hetimor gjeti edhe një armë të tipit MP5, me të cilët mendohet se autorët kryen ekzekutimin e Billës.

Sipas burimeve, viktima kishte vetëm pesë ditë që kishte hyrë në vendin tonë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Morinit, pasi rezulton që të ketë qenë në Belgjikë, por arsyet e udhëtimit të tij ende janë të paqarta.

Në vitin 2006, ai ekzekutoi me breshëri në një lokal në Angli, shtetasin Prel Marku ndërsa la të plagosur tre të tjerë, Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.

Për këto vepra penale, gjykata në Angli e dënon Hekuran Billën me burgim të përjetshëm, ndërsa nëntë vite më pas, vitin me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare, në 2016-ën ai ekstradohet drejt vendit tonë për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Në Shqipëri, Billa kërkoi një tjetër proces gjyqësor për njohjen e vendimit. Gjykata shqiptare ja konvertoi burgimin e përjetshëm me 25 vite burg, duke u bazuar ne legjislacionin shqiptar, për veprën penale qe ai akuzohej. Pasi mori këtë vendim tre vite me vone, Billa bëri sërish një kërkesë ne gjykatë për tu liruar me kusht, që arriti ta marrë në vitin 2019.

Top Channel