Një ilaç me kosto të ulët dhe gjerësisht i disponueshëm ka treguar se mund të shpëtojë jetët e pacientëve në gjendje të rëndë nga COVID-19, thuhet në një studim të hulumtuesve britanikë. Shkencëtarët e quajtën përdorimin e ilaçit “dexamethasone”, që zakonisht përdoret për reduktimin e inflamacionit tek pacientët me artrit dhe sëmundje të tjera, një “përparim të madh” në trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus të shtruar në spital të cilët kanë nevojë për respiratorë ose oksigjen shtesë.
Hulumtuesit në Universitetin e Oksfordit thanë se studimi i më shumë se 6,400 pacientëve – një e treta e të cilëve u trajtuan me ilaçin në fjalë dhe dy të tretat nuk u trajtuan, – treguan se përdorimi i ilaçit ishte veçanërisht i dobishëm për pacientët në gjendje ë rëndë por nuk duket se ndihmoi pacientët në gjendje më të mirë. Ata thanë se ilaçi reduktoi vdekjet me rreth 35 përqind tek pacientët që kishin nevojë për respiratorë dhe me rreth 20 përqind tek pacientët që kishin nevojë për oksigjen shtesë. Peter Horby është një nga hulumtuesit.
“Ky është një rezultat jashtëzakonisht i mirëpritur. Është i qartë dhe i madh rezultati për mbijetesë tek këta pacientë që janë në gjendje të tillë që kanë nevojë për trajtim me oksigjen. Kështu që ilaçi ‘dexamethasone’ tani duhet të bëhet pjesë standarde e kujdesit për këta pacientë. Ky ilaç nuk kushton shumë dhe mund ta përdorim për të shpëtuar jetët në mbarë botën.” Ministri britanik i shëndetësisë tha se sherbimi shëndetësor shtetëror do të fillojë menjëherë përdorimin e ilaçit për pacientët në gjendje të rëndë me COVID-19, dhe se disponojnë 200 mijë kura për trajtim.
“Rezultati i këtij studimi tregon se ilaçi ‘dexamethasone” u shpëton jetën pacientëve me COVID-19 në gjendje të rëndë me një kosto shumë të përballueshme”, tha profesori Martin Landray me Universitetin Oksford që bashkëdrejtoi hulumtimet. “Do të jetë shumë e vështirë që një ndonjë ilaç tjetër ta zëvendësojë këtë, duke patur parasyshë koston prej rreth 63.26 dollarësh për të trajtuar tetë pacientë dhe shpëtuar një jetë”,tha ai gjatë një konference në internet.
Hulumtuesit thanë se nëse ky ilaç do të ishte përdorur që nga shfaqja e pandemisë në muajin mars, rreth 5 mijë jetë do të ishin shpëtuar në Britani. Hulumtimet për ilaçin ‘dexamethasone’ ishin pjesë e të njëjtit studim që në fillim të muajit treguan se ilaçi kundër malaries ‘hydroxychloroquine’ nuk po funksiononte kundër koronavirusit, duke dalë në të njëtin përfundim me testimet e tjera. Presidenti Donald Trump për javë me radhë mbrojti përdorimin e ilaçit ‘hydroxychloroquine’ si një trajtim parandalues dhe tha se ai e kishte përdorur ilaçin më herët gjatë pandemisë. Hulumtuesit në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë në botë po punojnë me ngulm për të zhvilluar një vaksinë kundër koronavirusit. Por sipas ekspertëve do të duhet një vit ose më shumë para se të gjendet një kurë./VOA
Top Channel