Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, akuzoi Turqinë se po kërcënon paqen rajonale, pas bisedimeve në Jeruzalem me homologun e tij izraelit.
Në udhëtimin e parë të tij që nga fillimi i pandemisë, Mitsotakis dënoi sjelljen agresive të Turqisë në Mesdheun lindor.
“Ne konsiderojmë se aktivitetet e Turqisë janë një kërcënim për paqen rajonale dhe stabilitetin. Unë e kam ngritur çështjen e incidenteve të fundit të paligjshme dhe provokative të Turqisë në kufijtë tanë detarë dhe tokësor me kryeministrin Natanjahu”, tha ai.
Bashkë me Qipron, Izraeli dhe Greqia kanë nënshkruar në janar një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi të nënujshëm që do të dërgojë gaz nga Mesdheu lindor në Evropë.
Ankaraja e kundërshton marrëveshjen dhe ka dërguar anije për të kërkuar rezerva energjitike pranë Qipros ndërsa javën e shkuar, ushtria turke kreu një stërvitje ajrore dhe detare në Mesdheun lindor.
Qeveria turke për më tepër ka nënshkruar një marrëveshje të diskutueshme vitin e kaluar me qeverinë libiane që i lejon Ankarasë kërkimet në zona të pasura me gaz në Mesdhe, një marrëveshje kjo që konsiderohet e pavlefshme nga Micotaqis.
Top Channel