Ish kryetari i bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu është vendosur sërish nën lupën e drejtësisë, kësaj radhe nga prokuroria kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Burime të Top Channel thonë se Xhelal Mziu, po verifikohet nga dy prokurorët Sotir Kllapi dhe Klodian Braho për shpërdorim detyre dhe çështje korrupsioni, pas dy kallëzimeve të veçuara të bazuar mbi raport auditin për strehimin social.

Një burim i sigurtë i tregoi Top Channel se në dosjen e parë Mziu dyshohet të ketë favorizuar subjekte private, që janë pajisur me leje  zhvillimi dhe ndërtimi, duke mos i detyruar të kalojnë 3 përqind të sipërfaqes funksionale për banesa sociale në favor të Bashkisë.

Siç dyshohet më tej ish kryetari nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj subjekteve, duke shkaktuar dëm bashkisë për fondin e banesave sociale. Në kallëzim sipas burimeve theksohet si dëm paraprak shuma prej mbi 22 milionë lekë.

Pasojat e shkaktuara sipas verifikimeve të kryera paraprakisht lidhen jo vetëm me interesat e bashkisë por edhe të  personave qe duhet të strehoheshin në banesat sociale. Dosja tjetër ndaj Mziut lidhet me linjat e transportit të udhëtarëve dhe lincesimin e tyre ,pa patur në dosje një kontratë  ndërsa mungojnë edhe dokumuenta të rëndësishëm që duhet të lëshoheshin nga autoriteti i lincensimit.

Xhelal Mziu gjatë kohës që mbante drejtimin e  bashkisë Kamëz u hetua nga Prokuroria e Tiranës e më pas përfundoi nën arrest për dyshimet e pabarazisë në tendera.

Por ndërsa Gjykata e Shkallës së Parë e shpalli fajtor dhe e dënoi me dy vjet burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, apeli e hodhi poshtë këtë vendim dhe e konsideroi të pafajshëm.

Top Channel