Dyqanet dhe atraksionet e tjera në Angli u rihapën të hënën për të parën herë pas tre muajsh ndërsa qeveria vazhdon të zbusë masat e izolimit të ndërmarra për të kufizuar përhapjen e koronavirusit.

Mijëra tregtarë jo të domosdoshëm si libraritë apo dyqanet e elektronikës, shpresojnë tani të presin klientët e parë që kur biznesi u ndal në fund të marsit. Vendet e argëtimit si kinematë e hapura, parqet safari dhe pjesët e jashtme të kopshteve zoologjike po ashtu janë rihapur ndërsa vendet e besimit do të presin sërish ndjekësit e tyre. Por kudo, duhen plotësuar rregullat e distancimit social që kërkojnë që njerëzit të qëndrojnë të paktën dy metra larg njëri tjetrit dhe ata duhet të mbajnë maska apo shall, kur janë në ambjente të mbyllura. Ndërkohë, maskat do të jenë të detyrueshme në transportin publik në të gjithë Anglinë me operatorët që lejohen të ndalojnë udhëtimin për ata që nuk i kanë vendosur.

Në Irlandën e veriut dyqanet jo të domosdoshme u rihapën të premten por Skocia dhe Uellsi nuk kanë vendosur ende se kur do të bëjnë të njëjtën gjë pasi qeveritë lokale në Britani po i heqin kufizimet me shpejtësi të ndryshme. Në sektorin e tregtisë jo të domosdoshme, punësohen 1.3 milionë njerëz dhe ai kontribuon me 46.6 miliardë stërlina në ekonominë britanike çdo vit. Ndaj dhe ristartimi i tij po konsiderohet si jetësor për ekonominë. Rrugët janë pastruar, kalimet këmbësore janë zgjeruar dhe stacione për dezinfektimin e duarve janë vendosur nëpër Londër por ekspertët thonë se do të duhet ende shumë kohë që gjërat të kthehen në normalitet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA