Gazetarja filipinase, Maria Ressa, shefja ekzekutive e një faqeje që kritikon presidentin, Rodrigo Duterte, është dënuar për shpifje, në një rast që është konsideruar test për liritë e mediave në këtë shtet.
Një gjykatë në Manila ka shpallur fajtore Ressan dhe ish-gazetarin tjetër, Reynaldo Santos Jr, duke mundësuar dënim me deri gjashtë vjet burgim.
“Ne do të ngrihemi kundër secilit sulm kundër lirisë së mediave”, ka thënë Ressa pas vendimit, duke u zotuar se do ta vazhdojë luftën.
Dy të dënuarit janë liruar me kusht, në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit.
Grupet për liri të shprehjes e kanë përshkruar këtë rast si të motivuar politikisht, me qëllim të heshtjes së kritikëve qeveritarë.
Ky rast lidhet me një artikull të publikuar më 2012, në faqen e saj në internet, Rappler.
Në këtë artikull, që është përditësuar më 2014, është cituar një raport i inteligjencës, që lidh një biznismen, me vrasje dhe trafikim të njerëzve dhe drogës.
Artikulli është publikuar para miratimit të një ligji për shpifje në internet, mirëpo prokurorët kanë argumentuar se ndryshimet e bëra më vonë nënkuptojnë se Ressa mund të dënohet.
Faqja Rappler është përballur me kritika të mëdha, rreth luftës së Dutertes me drogën.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se taktikat drakonike të qeverisë, kanë rezultuar me më shumë se 10,000 persona të vdekur.
Top Channel