“E papërshtatshme”/ SHBA i revokoi vizën. Fatmira Hajdari: Më morën në telefon nga ambasada dhe…

15/06/2020 11:33

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, po përballet sot, me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Në kriterin e dytë atë të kontrollit të figurës DSIK konstatoi përshtatshmëri, por KPK kreu verifikime të tjera.

“Na rezulton se në deklaratën për kontrollin e figurës, pyetjes nëse iu është refuzuar hyrja nga vendet e BE apo të NATO-s, gjyqtarja i është përgjigjur jo. Por rezulton se SHBA, shtet anëtar i NATO-s i ka revokuar vizën”, u shpreh KPK.

DSIK më pas informon se ka përcjellë raport të rishikuar, ku grupi i punës konstaton: Në vlerësim të të dhënave Fatmira Hajdari, ka bërë deklarim të pasakte të figurës për vizën. DSIK arrin në përfundimin se Hajdari është e papërshtatshme.

Hajdari nga ana e saj ka thënë se nuk ka pasur refuzim vize dhe sipas saj i është kërkuar me telefon që të paraqitet në ambasadë , dhe kur është paraqitur dhe i kanë mbajtur pasaportën dhe i kanë revokuar vizën.

Për këtë çështje avokati i Fatmira Hajdarit , Maks Haxhia u shpreh : Në formular thuhet tregoni nëse ju kanë refuzuar vizën dhe jo revokuar. Kjo nuk do të thotë që integriteti dhe figura është e cënuar, pasi revokimi është në varësi të vendimit që do merret nga KPK.

Edhe sot e kësaj dite ne nuk dimë datën e saktë se kur u revokua viza, sot do i bëjmë kërkesë ambasadës. Por edhe sikur të kishte dijeni , janë dy koncepte të ndryshme, revokimi dhe refuzimi. Ne do kërkojmë riçelje të hetimit edhe për komponentin e tretë, atë të aftësive profesionale. Kemi një mbrojtje prej mëse 40 faqesh për dy kriteret.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2020/06/15/fatmira-hajdari-gjyqtarja-e-apelit-sot-ne-veting/

Top Channel