Lautaro Martinez ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë gjithë kohës së pandemisë, pasi thuajse çdo ditë mediat europiane kanë raportuar për interesin e Barcelonës që të transferojë në “Campo Nou” sulmuesin argjentinas.
Të dy klubet kanë pranuar ekzistencën e negociatave mes palëve, por akordi mungon, pasi Interi këmbëngul për 111 milionë euro, aq sa janë parashikuar në klauzolë, ndërsa Barcelona kërkon të përfshijë disa lojtarë në këmbim.
Megjithatë sulmuesi argjentinas rrezikon të shndërrohet në një çështje te Interi, duke qenë se klauzola vlen deri më datën 7 korrik sipas Marottës dhe Lautaro do të provojë të bindë zikaltrit të pranojnë shitjen e tij.
Sinjalet e para erdhën që mbrëmjen e djeshme nga “San Paolo”, ku Lautaro u pa shumë pak në fushë dhe nuk kishte aspak lidhje me sulmuesin që na kishte mësuar të shfaqte në fushë për muaj të tërë nën drejtimin e Contes.
Mbrëmjen e djeshme u vu re qartë që argjentinasit i mungonte përfshirja në lojën e skuadrës, ndaj edhe Conte vendosi që zëvendësimin e parë ta konsumonte pikërisht për të larguar atë nga fusha në minutën e 72-të.
Tani teknikut zikaltër i del një detyrë e vështirë të menaxhojë situatën e sulmuesit argjentinas, që në rastin më të mirë është shpërqendruar nga zërat e merkatos, ndërsa nga ky moment mund të përfitojë Alexis Sanchez.
Sulmuesi kilen nuk dëshiron të lërë zikaltrit në fund të sezonit dhe e di mirë që këto javë duhet të bindë Conten dhe drejtuesit se e meriton një tjetër shans, ndryshe nga fillimi i këtij sezoni ku u kushtëzua nga dëmtimi.
Top Channel