Në Durrës bashkia në alarm, punonjësja u infektua nga e bija që punon në bashkinë Tiranë/ Çifti i të moshuarve nga Fieri vizitoi djalin në Tiranë

13/06/2020 11:26

Top Channel mëson të tjera detaje për rastet e konfirmuara pozitive me covid-19 në qytete.

Për tre rastet pozitive në Fier mësohet se janë një çift pensionistësh në Roskovec dhe një e moshuar në Patos.

Çifti i të moshuarve nga Roskoveci ka qenë për vizitë te djali, këtu në kryeqytet, mëson TCh, ndërsa zonja nga Patosi ka qenë e shtruar më sëmundje kronike dhe trajtohej në spitalin e hemofilisë në Tiranë.

Ndërkohë në Durrës punonjësit e bashkisë janë nën alarm.

Një nga personat që rezultuan pozitiv pas kryerjes së testit për Covid-19, gjatë 24 orëve të fundit, është një specialiste e bashkisë së Durrësit. Ajo dyshohet se është infektuar nga e bija e cila punon në bashkinë e Tiranës.

Aktualisht, ekipet e shërbimit epidemiologjik po kryejnë gjurmimin dhe testimin në terren të punonjëses së bashkisë. Testimet kanë nisur nga familjarët e tjerë të punonjëses, si dhe i gjithë personeli i sektorit të Urbanistikës në bashki.

Një pjesë e mirë e punonjësve të bashkisë po punojnë nga shtëpia. Vetëkarantinimi i bashkisë së Durrësit në këtë situatë emergjence do të krijonte problematika të theksuara në ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, por sipas burimeve nga shërbimi epidemiologjik shpresohet që ky të jetë një rast i izoluar, që do të ndiqet në vazhdimësi.

Lexo edhe: https://top-channel.tv/2020/06/13/48-raste-me-covid-19-ministria-e-shendetesise-kemi-shtrime-te-reja-ne-spitalin-infektiv-7-ne-terapi-intensive-dhe-nje-i-intubuar/

Top Channel