“Mirëmbrëma ditari im i dashur, sot duart po më dridhen tek po shkruaj. Nuk jam sëmurë jo, por një gjë e keqe ka ndodhur. Mësuesja na thotë të mos kemi frikë edhe pse një virus i tmerrshëm ka rënë në të gjithë botën.sot kishte hyrë edhe në Shqipëri. Doja të të shkruaja shumë gjatë por ende jam e turbulluar. Jeta ka shumë të papritura”.
9 marsi i këtij viti ishte fillimi i shkrimit të fletës së parë të ditarit “ditët e covid-it” nga 9 vjeçarja Amira Ukaj. Mes netëve pa gjumë që kaluan me vështirësi për më shumë se dy muaj për shkak të karantinës, në një kënd të dhomës Amira i rrëfente ndjesitë mikut të saj të ri.
“Tregoja se si ndihesha, tregoja dhe që ministrja e shëndetësisë me kryeministrin ka çuar disa doktorë në Itali sepse aty ka qenë një katastrofë e madhe. Mami im ka dy mbesa atje e një ishte shtatzanë e ishte shumë e trembur. Flisja për Edi Ramën që thoshte për rastet që shtohen. E unë shkruaja me mërzi, duke u dridhur. Po vinte pranvera dhe ndihesha aq xheloze sa doja të dilja jashtë”.
Amira i ka pëlqyer të shkruajë qe kur ka mësuar shkronjat, ndërsa kohën e plotë ditarit ja kushtoi gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Edhe po të ishte 2 e natës mami më thoshte hajde fli gjumë. Unë i thoja jo nuk e lë dot, do të shkruaj se s’bën”.
“Ndihem e lumtur dhe e kënaqur që ditët e izolimit i kaloi shumë lehtë pikërisht edhe me ndihmën e ditarit të saj”.
Familja e Amirës ishte mbështetja më e madhe për 9-vjeçaren.
“Kur e morën vesh mami dhe babi atëherë ata vendosën ta botojnë. I thashë gjyshit a të pëlqejnë librat. Po më tha. Dhe unë i thashë a je gati të lexosh dhe librin tim të parë dhe ai u gëzua aq shumë”.
E me botimin e ditarit, Amira Ukaj ndjen mungesën e tij.
“Nuk duhet ta mbaroja këtu . Duhet ta shkruaja përgjithmonë”.
Top Channel