Liga Spanjolle tashmë e ka ringritur siparin e saj teksa janë zhvilluar 3 ndeshjet e para mes të cilave dy derbit Sevilla-Betis 2-0 dhe Valencia-Levante 1-1.
Sot në mbrëmje i takon Barcelonës të zbresë në fushën e lojës pas pauzës prej 3 muajsh të shkaktuar nga pandemia coronavirus për ndeshjen që do të luajë në fushën e Mallorcas. gjatë kësaj jave trajneri Quique Setien mori dy lajme shumë të mira, Lionel Messi dhe Luis Suarez do të jenë në dispozicion të tij për këtë sfidë që do të luhet në orën 22:00.
Argjentinasi mungoi në 3 seanca stërvitore javën e kaluar për shkak të një problemi të vogël muskular, por që nga kjo e hënë ai ka kryer stërvitje të plotë me pjesën tjetër të skuadrës dhe trajneri Setien në konferencën për shtyp ka konfirmuar praninë e tij në këtë ndeshje, me Messin që do të luajë sfidën e tij të 475 me fanelën e Barcelonës në La Liga duke vënë në shënjestrën e tij legjendën Xavi hernandez me 505 ndeshje me Barcelonën Ndërsa Luis Suarez u operua në gju me uruguajanin që mendonte më shumë për sezonin e ardhshëm. por pezullimi i kampionatit për shkak të pandemisë coronavirus e ndihmoi jashtë mase 33 vjecarin që pritet të aktivizohet gjatë kësaj sfide me Mallorcan.
Po kështu do të jetë në këtë sfidë edhe Nelson Semedo edhe pse theu protokollin e La Liga pasi mori pjesë në një festë me 20 persona në fillim të kësaj jave. Gjithsesi, pas kësaj Barcelona e veçoi atë nga grupi duke e detyruar portugezin të stërvitet i vetëm. Në La Liga kanë mbetur edhe 11 javë deri në fund të kampionatit që do të zhvillohen në harkun e 39 ditëve. Në momentin e ndërprerjes Barcelona është në krye të renditjes me 2 pikë më shumë se rivalët historikë të Realit të Madridit që ditën e diel do të presë Eibarin në ‘Alfredo Di Stefano’
Top Channel